

Tiranë – Shqipëria vazhdon të përballet me një trashëgimi të rëndë ndotjeje nga kimikatet e rrezikshme dhe metalet e rënda, të depozituara për dekada në zona industriale, minerare dhe bujqësore. Sipas dokumenteve zyrtare të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit dhe Planit Kombëtar për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve 2020–2035, disa prej këtyre zonave të identifikuara si “pika të nxehta” përbëjnë rrezik të drejtpërdrejtë për mjedisin dhe shëndetin e popullsisë.
Elbasani dhe industria metalurgjike
Kompleksi metalurgjik në Elbasan është një nga zonat më problematike në vend, me mbi 1.5 deri në 2 milionë ton mbetje të depozituara nga përpunimi i metaleve të rënda si ferronikeli dhe ferrokromi. Këto mbetje kanë ndikuar ndjeshëm në ndotjen e lumit Shkumbin. Zona e Balëzit po ashtu përmban lëndë të rrezikshme si dikloremetan, kripëra arseniku dhe nitrate amoni, me një pjesë të tyre ende të paasgjësuar.
Gjurmët e industrisë së bakrit në veri
Industria e përpunimit të bakrit ka lënë pasoja serioze në Rrëshen, Kurbnesh, Rubik, Reps, Fushë Arrëz, Kalimash dhe Gjegjan. Raportet tregojnë për përqendrime të larta arseniku dhe metaleve të tjera të rënda, të cilat ndotin lumenjtë Mat, Fan, Osum dhe Drin, duke kërcënuar tokat bujqësore dhe burimet e ujit të pijshëm. Gjegjani përmendet si një nga zonat më të ndotura në nivel kombëtar.
Pogradeci, Rehova dhe ndikimi në biodiversitet
Në Pogradec dhe përreth Liqenit të Ohrit, ndotja vjen kryesisht nga mbetjet e ferronikelit të shkaktuara nga aktiviteti minerar në Përrenjas dhe Guri i Kuq. Ndërkohë, në Rehovë, ndotja nga një minierë bakri ka dëmtuar rëndë bimësinë dhe biodiversitetin lokal.
Industria e naftës: Ballsh, Kuçovë dhe Patos-Marinzë
Aktiviteti i industrisë së naftës në zonat e Ballshit, Kuçovës dhe veçanërisht në Patos-Marinzë ka ndotur ndjeshëm ujërat nëntokësore dhe sipërfaqësore. Niveli i hidrokarbureve dhe gazeve toksike në ajër mbetet i lartë, me ndotje që përhapet deri në lumin Gjanica.
Fieri dhe trashëgimia e rrezikshme e Azotikut
Në Fier, ish-Uzina e Azotikut ka lënë pas mbi 850 m³ solucione të ndotura me përmbajtje arseniku, ndërsa magazinat e vjetra ruajnë më shumë se 93 mijë kg kimikate të ndryshme, me rrezik potencial për kontaminim të ujërave nëntokësore.
Porto Romano – një plagë e hapur në Durrës
Porto Romano, në Durrës, vazhdon të jetë një nga zonat më të ndotura që prej viteve ’90, me prani të kimikateve tepër toksike si hekzaklorociklohekzani (HCH) dhe kromi VI. Edhe pse janë ndërmarrë fushata pastrimi me mbështetje ndërkombëtare, ndotja në këtë zonë mbetet problem serioz.
Bajza dhe mbetjet e importuara kimike
Në Bajzë (Shkodër), pranë stacionit hekurudhor, në fillim të viteve ’90 janë depozituar mbi 80 ton mbetje kimike të importuara nga Gjermania. Një pjesë e tyre mbeten ende të pamenaxhuara dhe përbëjnë rrezik të vazhdueshëm.
Zona të tjera në rrezik
Ndotje të konsiderueshme janë raportuar edhe në Laç, Lushnje dhe Vlorë, ku ndikimi vjen nga mbetjet e superfosfatit, PVC-së dhe metaleve të rënda, të cilat ndotin tokën dhe ujin përreth.
Ekspertët: Nevojitet ndërhyrje e menjëhershme dhe strategji afatgjatë
Sipas ekspertëve të mjedisit, këto zona përfaqësojnë një rrezik të vazhdueshëm, pasi shumica e kimikateve të depozituara ndër vite nuk janë neutralizuar apo asgjësuar në mënyrë të sigurt. Ata theksojnë nevojën për një strategji kombëtare për dekontaminim, investime në monitorim të vazhdueshëm dhe mobilizim fondesh për pastrimin e plotë të këtyre zonave, për të parandaluar ndikimet afatgjata në shëndetin e popullatës dhe ekosistemet natyrore.


Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






