

Në fjalën që mbajti para deputetëve dhe ministrave në Tiranë, kryeministri Edi Rama foli edhe për problemin e ujit të pijshëm në Tiranë. Ai paralajmëroi ndërhyrje në Ujësjellësin e kryeqytetit.
“Edhe nga anketimi në Tiranë, është e qartë që shumica e qytetarëve e kanë hallin te problematikat që kërkojnë adresim dhe zgjidhje nga Bashkia e Tiranës. Duke filluar nga uji i pijshëm, që si asnjëherë më parë në këtë periudhë është kthyer në problem. Është problem i keqadministrimit dhe ne do të ndërhyjmë në ujësjellësin e Tiranës”.
Rama tha se do krijohet një kompani publike lidhur me furnizimin me ujë të pijshëm.
“Ne do ndërhyjmë përsëri në ujësjellësin e Tiranës, dhe publikisht me një reformë më të thellë dhe gjithëpërfshirëse ka nisur duke marrë jetë, sikurse e kemi prezantuar, drejt krijimit të një Operatori Kombëtar, i cili do të funksionojë njësoj si Operatori Kombëtar i Shpërndarjes së energjisë elektrike, me komponentin e shpërndarjes, dhe qeveria nuk do të qëndrojë më anash duke pritur dhe shpresuar që bashkitë të kryejnë shërbimin cilësor për qytetarët, por duhet t’u bashkohet atyre, sepse bashkitë do të jenë padyshim aksionere në këtë kompani të madhe publike.
Por do të mbajë gjithë përgjegjësinë e këtij procesi, që shumë ka zgjatur, me thënë të drejtën, që të ngrihet në nivelet e duhura në të gjithë territorin, duke u bazuar në vendimmarrjet shpesh të pakënaqshme në nivel lokal.
Do krijojmë një kompani publike e cila, si në fushën e energjisë, do të funksionojë ndryshe, me burime njerëzore që s’do jenë burime partie, por burime të kompetencës profesionale jetike.”, tha Rama.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






