

Pas arrestimit të agjentëve që reklamonin investimet ne kripto dhe organizatorit që e përhapi platformën kryesisht në zonën e Divjakës, Hetuesit ende nuk e dinë se kush ishte ideatori i kësaj skeme mashtruese që futi në kurth qindra shqiptarë. Nga verifikimet dihet vetëm një emër, Leo Smith.
Ereledio Shebeku i konsideruar si organizator i kësaj skeme mashtruese u vu në pranga në Rinas sapo mbërriti nga Italia ku ndodhej për kurimin e fëmijës së tij.
Ashtu si edhe agjentët e arrestuar më herët, 35-vjeçari nuk ka dhënë detaje në dëshminë e tij duke pretenduar se me këtë platformë u njoh online dhe se nuk ka detyruar askënd për të investuar.
Skema zhvillohej në rrjetin social Telegram, ku nëpërmjet agjentëve prezantohej një platformë ku qytetarët duhet të investonin minimalisht 1 mijë dollarë për tu futur në skemë dhe kishin detyrimin për të anëtarësuar dhe 5 anëtarë të tjerë të cilët po ashtu duhet të paguanin po aq para.
Shebeniku rezulton të jetë i pari që ka nisur këtë piramidë anëtarësimesh. Fillimisht në Divjakë mes të afërmve të tij dhe më pas u shtri edhe në Fier dhe Lushnjë. Nga hetimet ka rezultuar se ai komunikonte me një user me emrin ”Leo Smith” i cili i niste linqe se ku duhej bërë anëtarësimi dhe derdhja e parave si dhe trendet e fitimeve te supozuara.
Por përveç emrit hetuesit nuk kanë mundur dot të mësojnë më tepër. Nga verifikimet e deritanishme dyshohet se numri i të mashtruarve nga kjo piramidë është rreth 600 persona.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






