Transmetuar më 23-09-2025, 18:31

Tiranë, 23 shtator 2025 – Këshilli Bashkiak i Tiranës vendosi sot shkarkimin e kryebashkiakut Erion Veliaj me shumicë votash. Për shkarkimin e tij votuan përfaqësuesit e Partisë Socialiste, Partisë Demokratike, Nismës Thurrje dhe Lëvizjes Bashkë, duke mbyllur kështu një nga seancat më të debatueshme të viteve të fundit në këtë institucion.

Në proces nuk morën pjesë Lëvizja për Zhvillim Kombëtar dhe Bindja Demokratike, ndërsa disa këshilltarë, përfshirë Aldo Merkocin dhe Alfred Muharremin nga radhët e Partisë Socialiste, ishin të pranishëm por nuk votuan. Po ashtu, munguan edhe Gazment Paja dhe Joleza Koka, miq të afërt të Veliajt, ndërsa disa anëtarë të tjerë nuk morën pjesë fare në votim.

Pas këtij vendimi, procedura e radhës parashikon që akti i miratuar nga Këshilli Bashkiak t’i përcillet Këshillit të Ministrave, i cili duhet ta vulosë përfundimisht. Në momentin e miratimit, shpallet zyrtarisht vakanca në krye të Bashkisë së Tiranës.

Ndërkohë, Veliaj ka të drejtë të ankimojë vendimin në Gjykatën Kushtetuese brenda 15 ditëve. Nëse ai e ushtron këtë të drejtë, do të jetë Kushtetuesja organi që do të japë verdiktin përfundimtar mbi fatin e tij politik.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit