

Ministrja e Brendshme Albana Koçiu propozon shkarkim nga detyra oër zv.ministrin Andi Mahila pas denoncimit të një qytetari
Ministrja e re e Brendshme, Albana Koçiu, e ka nisur mandatin e saj me vendime të forta disiplinore. Vetëm pak ditë pas betimit në Presidencë, ajo i ka propozuar qeverisë shkarkimin nga detyra të zv.ministrit të Brendshëm, Andi Mahila.
Shkak për këtë vendim u bë një foto e publikuar nga një qytetar, ku Mahila shihej duke konsumuar cigare në një ambient të mbyllur, në kundërshtim me ligjin që ndalon duhanpirjen në hapësira të tilla.
Qytetari e denoncoi rastin direkt te ministrja Koçiu, e cila pas shqyrtimit të materialit dhe konstatimit të shkeljes, paraqiti propozimin për shkarkim.
Vendimi pritet të merret nga qeveria, duke i dhënë fund detyrës së Mahilës, i cili mban postin e zv.ministrit të Brendshëm që nga janari i vitit 2021.
Ministrja Koçiu ka njoftuar personalisht edhe qytetarin që kishte bërë denoncimin, duke i komunikuar se veprimi i tij solli masa konkrete.
Reagim i Ministres së Punëve të Brendshme, Albana Koçiu në fb:
Konfirmoj sa ka dalë në shtyp lidhur me largimin e zëvendësministrit.
Kam marrë një denoncim nga një bashkatdhetari ynë në New York, i cili bashkë me familjen kishte përjetuar shqetësim për faktin se zv.ministri i Brendshëm tymoste cigare në restorant.
Bëra verifikimin përkatës dhe i komunikova zv.ministrit largimin nga detyra.
Çdokush mund të gabojë padashje dhe mund të mirëkuptohet, por të pish cigare brenda në lokal nuk është një gabim padashje, po një shkelje e pajustifikueshme e ligjit. Aq më tepër për një drejtues të një institucioni si Ministria e Punëve të Brendshme.
Nga ana ime e kam njoftuar bashkëatdhetarin që dërgoi mesazhin, se shqetësimi i tij i drejtë nuk ra në vesh të shurdhër.
I siguroj të gjithë qytetarët, që do të denoncojnë shkelje të cilitdoqoftë, se do të dëgjohen me të njëjtin respekt. Jo vetëm me fjalë por me qëndrimet parimore, që ata me plot të drejtë presin prej nesh.
/noa.al
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






