Transmetuar më 21-09-2025, 18:52

AZERBAIXHAN – Max Verstappen dominoi Çmimin e Madh të Azerbajxhanit në pistën emocionuese të Bakut, duke siguruar një fitore të pastër për Red Bull. Në podium, pas tij u renditën George Russell i Mercedes dhe Carlos Sainz me Williams. McLaren pati një ditë për t’u harruar. Australiani Oscar Piastri, lider i renditjes së përgjithshme, u aksidentua që në fillim të garës.

Ai startoi nga pozita e 9-të, por pas një nisjeje të dobët ra menjëherë në fund dhe më pas humbi kontrollin në kthesën e pestë. Shoku i tij i skuadrës dhe ndjekësi më i afërt në klasifikim, Lando Norris, e mbylli garën vetëm në vendin e shtatë. Norris nuk arriti të përfitonte sa duhej nga dështimi i Piastres, duke marrë vetëm gjashtë pikë nga kjo garë.

Diferenca mes tyre në renditjen e përgjithshme tani është ngushtuar në 25 pikë. Verstappen, ndërkohë, renditet i treti në klasifikim. Për holandezin kjo ishte fitorja e katërt e sezonit dhe e dyta radhazi, pas triumfit në Monza në fillim të muajit.

Gara e ardhshme do të zhvillohet më 5 tetor në Singapor. Carlos Sainz u shpall “Piloti i Ditës”, duke i dhënë Williamsit një podium të shumëpritur pas një kohe të gjatë.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit