

Lushnje- Një rast i pazakontë raportohet nga Karbunara e Vogël në Lushnje, ku një tufë prej 80 krerësh dele e dhi është masakruar gjatë natës nga ujqërit.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 03:30 të mëngjesit të sotëm, 21 shtator, kur ujku hyri në vathë duke sulmuar tufën.
Sipas blegtorit Namik Sinani, 40 krerë janë ngrënë e mbytur nga kafsha e egër, ndërsa pjesa tjetër është lënë e plagosur, një pjesë në rrugë dhe një pjesë brenda vathës.
Blegtori, i tronditur nga ngjarja, kërkon ndihmë nga shteti për kompensim të tufës, duke theksuar se vetëm një pjesë e bagëtive ishte e matrikulluar, ndërsa të tjerat ishin shtesa të fundit.
"S’kam asnjë të ardhur, vetëm me ato ushqeheshim. Vetëm kjo kërrabë (shkop) më ka ngelur dhe qeni që ta vras fare që nuk e ruajti fare tufën”, shprehet fermeri.
Banorët e zonës shprehen të frikësuar pasi ky nuk është rasti i parë.
Vetëm dy javët e fundit, ujqërit kanë sulmuar edhe kafshë të tjera, duke hyrë deri në qendrat e banuara.
Pylli i Zgjanës, pranë fshatit, është kthyer në strehë të ujqërve, numri i të cilëve, sipas banorëve, është shtuar ndjeshëm vitet e fundit.
Për ngjarjen është njoftuar policia e Lushnjes dhe shërbimi veterinar.
Pritet që autoritetet të kryejnë groposjen e bagëtive të ngordhura dhe dezinfektimin e zonës për të shmangur përhapjen e ndonjë infeksioni.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





