Transmetuar më 21-09-2025, 16:36

IZRAEL- Ministria e Jashtme e Izraelit ka reaguar ashpër pas vendimit të Mbretërisë së Bashkuar për të njohur zyrtarisht shtetin e Palestinës. Përmes një njoftimi, ministria e Jashtme izraelite tha se ky veprim është shpërblim për Hamasin xhihadist.

“Njohja nuk është gjë tjetër veçse një shpërblim për Hamasin xhihadist – të inkurajuar nga Vëllazëria Myslimane e lidhur me të në Mbretërinë e Bashkuar. Vetë udhëheqësit e Hamasit e pranojnë hapur: kjo njohje është një rezultat i drejtpërdrejtë, “fryti” i masakrës së 7 tetorit. Mos lejoni që ideologjia xhihadiste të diktojë politikën tuaj”, thuhej në deklaratë.

Reagimi izraelit vjen pasi kryeministri britanik Keir Starmer, ai i Kanadasë dhe Australisë, shpallën zyrtarisht njohjen e shtetit palestinez. Kryeministri britanik theksoi në deklaratarën e tij se kjo lëvizje nuk është një shpërblim për Hamasin, pasi ata nuk do kenë asnjë rol në qeverisje dhe nuk do të ketë vend në sigurinë e shtetit palestinez.

Britania, Kanadaja dhe Australia u bashkohen më shumë se 140 vende të tjera në njohjen e shtetit palestinez. Britania dhe Kanadaja u bënë vendet e para të grupit të G7-ës që ndërmorën këtë hap, ndërsa Franca dhe vende të tjera pritet të ndjekin shembullin e tyre gjatë Asamblesë së Përgjithshme vjetore të OKB-së, e cila nis të hënën në Nju Jork. Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu më parë ka kundërshtuar njohjen e shtetësisë palestineze nga vendet, duke thënë se kjo shpërblen terrorin e Hamasit dhe forcon refuzimin e grupit për të liruar pengjet.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit