

Tiranë – Operacioni policor “Metoda” çon në pranga dy persona për trafik armësh
Policia e Shtetit ka finalizuar një operacion të koduar “Metoda”, në kuadër të goditjes së veprimtarisë kriminale të trafikimit të armëve të zjarrit nga Shqipëria drejt Anglisë.
Gjatë kontrollit të ushtruar në një kamion, në zonën e njohur si “Bulevardi i ri” në Tiranë, uniformat blu gjetën dhe sekuestruan një armë zjarri pistoletë me silenciator, të ndarë në pjesë dhe të fshehur brenda një televizori.
Nga veprimet e mëtejshme hetimore u identifikuan tre persona të dyshuar. Dy prej tyre, Jurgen Suca, 26 vjeç, dhe Segest Meti, 20 vjeç, banues në Shkodër, u arrestuan në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër, ndërsa një tjetër, 20-vjeçari R. A., është shpallur në kërkim.
Hetimet tregojnë se këta shtetas vepronin në bashkëpunim me njëri-tjetrin për të trafikuar armë zjarri drejt Anglisë, duke përdorur mjete transporti të personave që nuk kishin dijeni për ngarkesën.
Policia dhe Prokuroria po vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të aktivitetit të tyre, si dhe për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë, pasi dyshohet se grupi ka kryer edhe raste të tjera të ngjashme të trafikimit të armëve.
Materialet i janë kaluar Prokurorisë për veprime të mëtejshme ligjore. /noa.al
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





