

Kryeministri Edi Rama prezantoi sot z. Besfort Lamallari si Ministrin e ri të Drejtësisë. Në një takim me administratën e Ministrisë, kryeministri theksoi rëndësinë e kalimit të stafetës në një moment kyç për Shqipërinë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Në një deklaratë publike të kabinetit të kryeministrit thuhet se Ministri Lamallari pritet të udhëheqë me përkushtim dhe integritet proceset reformuese që prekin thelbin e drejtësisë shqiptare dhe më tej veçohet se:
"Roli i tij do të jetë vendimtar në garantimin e një drejtësie të pavarur dhe funksionale si themel i shtetit të së drejtës dhe i të ardhmes europiane të vendit", thuhet në qëndrimin e qeverisë.
Rama e vlerësoi fuqishëm ministrin e ri kur tha se kjo stafetë "për mua ka një lloj emocioni apo të themi ndjesie të veçantë pasi sot merr detyrën shumë sfiduese të ministrit të Drejtësisë, një nga shërbëtorët më shembullor të shtetit shqiptar që më është dhënë mundësia mua të njoh edhe pse në këtë rast jo nga afër, por ministri i ri rejtësisë e ka nisur rrugëtimin e tij me studime brenda e jashtë vendit dhe pastaj i ka ngjitur shkallët një e nga një me një angazhim dhe një përkushtim shembullor në çdo detyrë që i është besuar dhe uroj dhe besoj që me mbështetjen e ekipit të kësaj ministrie dhe në bashkëpunim dhe ndërveprim me të gjithë punonjësit, drejtuesit e institucioneve të varësisë Besforti do t’ia dalë të çojë përpara një punë të nisur prej vitesh tanimë dhe të vazhduar nga ministri i deritanishëm Ulsi Manja."
Ministria e Drejtësisë ka një barrë shumë të madhe në procesin e negociatave të anëtarësimit. Për Ramën "është pozitive që në krye të Ministrisë vjen një ndër negociatorët më të dalluar në procesin e negociatave, i cili ka mbuluar atë pjesë të llogores së negociatave që i përkiste Ministrisë së Brendshme, por këtu ka kapacitete dhe këtu janë edhe sfidat që lidhen drejtpërdrejt me themeloret"
/noa.al
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





