

Disa francezë u ndjenë të fyer këtë javë, kur mësuan se kriza e tyre politike po kthehej në objekt humori… në Itali.
Megjithatë, në më pak se dy vite, Franca ka kaluar pesë kryeministra, një rekord që i kalon edhe kohërat më të turbullta të Romës pas Luftës së Dytë Botërore.
Asambleja e re kombëtare, e zgjedhur pas shpërndarjes së beftë të parlamentit nga Emmanuel Macron në korrik 2024, është sot e paaftë të prodhojë një shumicë që mund të miratojë buxhetin.
Situata u ndërlikua edhe më tej nga një grevë e përgjithshme këtë të enjte, 18 shtator, e thirrur nga sindikatat që kundërshtojnë propozimet buxhetore. 1/3 e mësuesve bojkotuan punën, shumica e farmacive u mbyllën, ndërsa linjat e metrosë në Paris qëndruan jashtë funksionit.
Gazetat në Romë e Torino e pasqyruan këtë situatë jo siç pritej. Shkrimet theksonin poshtërimin e ish-kryeministrit François Bayrou, rrezikun për borxhin dhe madje mundësinë që Franca të kërkojë shpëtim nga FMN-ja.
Por më shumë se gjithçka, në qendër ishte rënia e shkëlqimit të presidentit Emmanuel Macron.
“Ku është madhështia tani?”– shkruante gazeta Il Messaggero.
Vetëm këtë vit, Franca pritet të shpenzojë 67 miliardë euro për shërbimin e borxhit, më shumë se çdo ministri tjetër, përveç arsimit dhe mbrojtjes. Deri në fund të dekadës, kjo shifër mund të arrijë në 100 miliardë euro në vit.
Javën e kaluar, agjencia Fitch uli vlerësimin e borxhit francez, duke e bërë më të shtrenjtë huamarrjen e qeverisë dhe duke reflektuar mosbesimin në aftësinë e vendit për të shlyer detyrimet.
Macron mes grevave dhe paralizës politike
Ndërsa Europa tronditet nga lufta, populizmi dhe pasiguria amerikane, Franca është e zhytur në krizë politike, sociale dhe financiare. Javën e kaluar, grupi radikal “Bloquons Tout” (“Bllokojmë gjithçka”) organizoi protesta, të cilat përfunduan në përplasje me policinë. Por testimi i madh erdhi dje, me marshime masive të sindikatave dhe partive të majta kundër planeve të qeverisë.
Analisti Nicolas Baverez paralajmëroi: “Në këtë moment kritik, kur rrezikohet sovraniteti dhe liria e Francës e Europës, vendi gjendet i paralizuar nga kaosi, paaftësia dhe borxhi”.
Macron thotë se mund ta nxjerrë vendin nga rrëmuja, por i kanë mbetur vetëm 18 muaj deri në fund të mandatit të dytë. Dhe shumëkush pyet: a do të dalë Franca më e fortë nga kjo krizë, apo e dobësuar përfundimisht, pre e ekstremistëve të majtë e të djathtë?
Kryeministrat që rrëzohen njëri pas tjetrit
Kriza nisi nga vendimi i Macron për të shpërndarë Asamblenë në verën e 2024-s. Në vend të stabilitetit, ai prodhoi një parlament të ndarë në tre blloqe: qendër, të majtë dhe të djathtë ekstreme.
Michel Barnier dhe François Bayrou provuan të drejtonin qeverinë, por u rrëzuan.
Bayrou, 74 vjeç, tentoi të ulte borxhin duke shkurtohej 44 miliardë euro nga buxheti 2026, madje propozoi heqjen e dy festave kombëtare për të rritur fondet për mbrojtjen. Rezultati? Aleanca e të majtëve me të djathtën ekstreme i dha fund karrierës së tij politike.
Macron, i lodhur nga tensionet me kryeministrat e mëparshëm, zgjodhi javën e kaluar një njeri të besuar: Sébastien Lecornu, 39 vjeç, mik i ngushtë i presidentit. “Me Lecornu, praktikisht Macron është edhe kryeministër”, shpjegon ekonomisti Philippe Aghion.
Sfida e buxhetit dhe përplasja me partitë
Lecornu ka një detyrë titanike: deri në tetor duhet të dorëzojë projektbuxhetin, që më pas të miratohet brenda vitit. Matematikisht, kjo është e mundur vetëm me mbështetjen e socialistëve dhe republikanëve konservatorë. Ndërkohë, socialistët kërkojnë: anulimin e reformës së pensioneve që ngriti moshën e daljes në 64 vjeç, taksa mbi super të pasurit dhe objektiva më të ulëta për uljen e borxhit.
Këto janë të papranueshme për republikanët, ndërsa sindikata e fuqishme e biznesit MEDEF ka paralajmëruar demonstrata nëse rriten taksat.
Për më tepër, afrimi i zgjedhjeve bashkiake në mars dhe presidencialeve të 2027-s e bën edhe më të vështirë kompromisin. Tubimi Kombëtar i Le Pen dhe La France Insoumise e Mélenchon janë gati ta cilësojnë çdo marrëveshje si “tradhti”.
Dy skenarë për Francën
Në rastin më të mirë, Lecornu mund të bëjë një kompromis, duke shmangur krizën e menjëhershme. Por ky buxhet do të shihej si gjysmak dhe do të shtynte tregjet të rrisnin më tej kostot e huamarrjes.
Në rastin më të keq, dështimi do të sillte dorëheqjen e një tjetër kryeministri dhe ndoshta zgjedhje të reja, ku Marine Le Pen mund të triumfojë.
Macron, nga shpresa te “fajtori”
Në vitin 2017, Emmanuel Macron erdhi në pushtet si lideri që premtonte të bashkonte të majtën me të djathtën, biznesin me punëtorët, euro-skeptikët me euro-entuziastët. Por sot, komentatori Nicolas Baverez e sheh ndryshe: “Macron është shënjestra e zemërimit popullor. Ai mban përgjegjësi të plotë për këtë rrënim. Si çdo demagog, e ka kthyer vendin në një fushë rrënojash”./ Marrë me shkurtime nga BBC
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





