

Shkodrani i shumëkërkuar për tentativë vrasjeje kapet në Astir, i ndihmuar nga një mik tiranas
Operacioni “Operacionalja 67”, kapen në Astir dy persona në kërkim, mes tyre një i dyshuar për tentativë vrasjeje
Tiranë – Policia e Shtetit ka finalizuar një tjetër operacion për kapjen e personave në kërkim kombëtar dhe ndërkombëtar. Mbrëmjen e djeshme, në zonën e Astirit në Tiranë, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale arrestoi dy shtetas, mes tyre një 28-vjeçar i shpallur në kërkim për tentativa vrasjeje dhe armëmbajtje pa leje.
Operacioni u zhvillua në rrugën “Teodor Keko”, ku u vu në pranga shtetasi Alban Bruçi, 28 vjeç, banues në Shkodër. Ai ishte shpallur në kërkim me vendim të vitit 2024 nga Gjykata e Shkodrës, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Gjatë kontrollit fizik, Bruçit iu gjetën dhe sekuestruan një shumë parash, tre celularë, një kartë SIM dhe një kartë identiteti italiane e dyshuar si e falsifikuar.
Në pranga ra edhe Arjan Sardi, 37 vjeç, banues në Tiranë, i cili dyshohet se ndihmonte të kërkuarin duke e transportuar me motomjet në momentin e ndalimit. Mjeti u sekuestrua si provë materiale.
Të arrestuarit iu dorëzuan Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, e cila ekzekutoi urdhrat për ndalimin e Bruçit dhe arrestimin e Sardit. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Ky operacion, i koduar “Operacionalja 67”, është pjesë e një sërë veprimesh të Policisë së Shtetit për kapjen e personave në kërkim dhe forcimin e rendit e sigurisë publike. /noa.al
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





