

Policia Rrugore ka ndërmarrë një fushatë për gjobitjen e shoferëve të monopatinave dhe ciklomotorëve eletrikë që nuk respektojnë rregullat e qarkullimit.
Policia shpjegon se për patinat elektrike me shpejtësi deri në 25 km/h drejtuesit duhet t’i binden të gjitha rregullave të qarkullimit njësoj si mjetet e tjera.
Ndërsa për ciklomotorët me shpejtësi nga 25 km/h deri në 45 km/h drejtuesi duhet të jetë mbi 16 vjeç dhe të jetë i pajisur me leje drejtimi të kategorisë AM.
Njoftimi i Policisë:
Kontrolle intensive në të gjithë vendin.
Me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore dhe rritjen e parametrave të sigurisë në rrugë, Policia Rrugore ka intensifikuar kontrollet në të gjitha qarqet e vendit, me fokus të veçantë tek përdoruesit e patinave elektrike, ciklomotorëve, shpejtësisë tej normave të lejura etj.
Për patinat elektrike me motor elektrik deri në 0.25 kf dhe shpejtësi maksimale deri në 25 km/orë, përdorimi duhet të bëhet duke respektuar të gjitha rregullat e qarkullimit.
Për ciklomotorët, përfshirë motomjetet/patinat elektrike me shpejtësi maksimale mbi 25 km/orë e deri në 45 km/orë, drejtuesit duhet të kenë mbushur moshën 16 vjeç dhe të jenë të pajisur me lejedrejtimi të kategorisë AM.
Kontrollet janë intensifikuar gjithashtu edhe për:
drejtimin e automjeteve dhe motomjeteve nën efektin e alkoolit;
përdorimin e celularit gjatë drejtimit;
mosvendosjen e rripit të sigurimit;
parakalimet e gabuara.
Policia Rrugore apelon për të gjithë përdoruesit e rrugës që të tregojnë kujdes maksimal dhe të respektojnë me përpikëri rregullat e qarkullimit rrugor, si dhe të denoncojnë në numrin 112 çdo shkelje që cenon sigurinë rrugore.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





