

Tiranë- Me një mandat të fortë prej 83 ligjvënësish në Kuvend, qeveria Rama 4 e socialistëve ambiciet i ka të mëdha për 4 vitet e ardhshme.
Programi qeverisës i Edi Ramës për mandatin e katërt, është i ndarë në tre shtylla kryesore, në krye të të cilave qëndron “Shqipëria Europiane, synimi për ta integruar vendin në BE brenda 2030-ës.
Shtylla e dytë bazohet tek “Rritja e qëndrueshme ekonomike”, ndërsa tek e treta premton se qeveria këtë mandat do t’i hedh më shumë sytë tek qytetarët me “Mirëqenie për të gjithë”.
Pas asaj që vetë Rama e ka cilësuar si boom turistik në të paktën 2 vitet, tashmë pritet ta orientojë sektorin drejt turizmit të qëndrueshëm, në mënyrë që 2030-ta, sipas ambicies së qeverisë ta gjejë Shqipërinë si një destinacion turistik të nivelit të lartë në Mesdhe.
Për të arritur në këtë nivel mes të tjerash synohet ndërtimi i 20 marinave të reja nga Velipoja në veri deri në Ksamil në jug, si dhe ndarjen e Shqipërisë në 6 rajone turistike.
Vëmendje të veçantë pritet t’i kushtohet diplomacisë ekonomike, përmes së cilës qeveria synon të dyfishojë investimet e huaja direkte në vend.
Zhvillimi i industrisë ushtarake do të jetë një nga prioritetet e qeverisë, duke ngritur dhe forcuar prodhimin “Made in Albania” me fokus tek municionet, armatimin e lehtë, mjeteve të blinduara, mjeteve të emergjencave civile dhe sistemeve pa pilot.
I kritikuar për mungesën e infrastrukturës, që e bëri të vështirë përballjen me zjarret këtë verë, qeveria premton se gjatë këtij 4 vjeçari do të blejë dy avionë zjarrfikës, flotë të përforcuar tokësore dhe ngritjen e katër qendra të reja rajonale të emergjencave civile.
Sistemin e drejtësisë qeveria premton ta mbështesë me inteligjencë artificiale.
Bëhet fjalë për ngritjen e një sistemi të integruar të menaxhimit të çështjeve në të gjitha gjykatat dhe prokuroritë deri në vitin 2028 duke përfshirë module të inteligjencës artificiale për menaxhimin e çështjeve.
Objektivi i radhës është miratimi i kodit të ri Penal dhe atij civil të përafruar me standardet e BE-së.
Administratën publike synon ta çojë drejt operimit “pa letër”, duke reduktuar ndjeshëm përdorimin e dokumentacionit fizik.
Ndërsa për transparencën dhe llogaridhënien mbi shpenzimet dhe projektet publike qeveria do të ketë sërish ndihmën e inteligjencës artificiale duke fuqizuar portalin “Transparent Albania”.
Prokurime publike, ashtu siç Rama premtoi me krijimin e dikasterit “Diella”, qeveria do t’ia lërë në dorë një sistemi tërësisht të automatizuar përmes Inteligjencës Artificiale, përmes të cilit synon eliminimin e korrupsionit, abuzimet dhe ndërhyrjen njerëzore.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





