

Ministri i Brendshëm i Ekuadorit njoftoi arrestimin e një biznesmeni të huaj në këtë vend me dyshimet se është i lidhur me mafien shqiptare.
Biznesmeni italian Panfilo C, i njohur edhe si Benny Colonico njihet edhe si ‘bankomati’ i mafies shqiptare, pasi e ndihmon atë në pastrimin e parave në shuma të mëdha.
Këtë herë, gjatë një kontrolli në banesën e tij u gjet një sasi e madhe parash të falsifikuara.
Ministri i Brendshëm, John Reimberg tha se biznesmeni është vendosur nën arrest në pritje të procesit gjyqësor.
Benny Colonico është një personazh kontrovers në Ekuador. Në qershor të vitit 2023, ai u rrëmbye nga një restorant që kishte në pronësi në qytetin e Guajakilit.
Gjatë operacionit për lirimin e tij u vra një nga kriminelët.
Ndërkohë më herët, në janar të vitit 2023, ai u përfshi në një shkëmbim zjarri para një qendre tregtare.
Biznesmeni është përfolur edhe për një lidhje me prezantuesen televizive, Carolina Jaume.
Madje ka pasur akuza se ai e ka përndjekur atë.
Arrestimi i biznesmenit italian cilësohet si shumë i rëndësishëm për të kuptuar se si funksionon mafia shqiptare, e cila trafikon tonelata me kokainë nga Ekuadori në drejtim të Europës.





Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





