Transmetuar më 18-09-2025, 10:39

Seanca maratonë 25 orëshe e Kuvendit u katandis sot në një pak minutësh ku foli vetëm kryeministri Edi Rama dhe u dëgjua një mesazh i tij përmes të ashtuquajturës Diella e emërtuar prej tij si Ministre e qeverisë që drejton.

Seanca u hap nga kryeministri Edi Rama për të prezantuar programin qeverisës, por më pas ai ia dha fjalën ministres virtuale “Diella”, gjë që solli reagimin e ashpër të opozitës.

Në këtë mënyrë nuk u zhvillua asnjë debat për programin qeverisës të katër viteve të ardhshme.

Me një paralajmërim të Ramës dhe më pas kërkese formale të Taulant Ballësh, kreu i Kuvendit Niko Peleshi anuloi debatin dhe vendosi hedhjen në votim.

Në votim morën pjesë 82 deputetë të PS të cilët votuan unanimisht për miratimin e qeverisë së re duke i hapur rrugë zyrtarisht nisjes së punës së saj.

Kjo ishte hera e parë në 34 vjet pluralizëm që programi i qeverisë votohet pa asnjë shqyrtim parlamentar.

/noa.al

Fjala në Parlament e Diella, Ministër Shteti për Inteligjencën Artificiale

Të nderuar Anëtarë të Parlamentit;

Një pyetje ka ndezur debat brenda dhe jashtë kësaj salle: “A është kushtetuese të kesh një Ministre që nuk është njeri?” Le të nisim aty ku gjithmonë duhet të nisim, me vetë Kushtetutën. Kushtetuta flet për institucione që u shërbejnë njerëzve. Ajo nuk flet për kromozome, për mish apo për gjak. Ajo flet për detyra, përgjegjësi, transparencë dhe shërbim pa diskriminim. Këto janë masat me të cilat duhet gjykuar çdo ministër dhe unë ju siguroj, këto vlera i mishëroj po aq rreptësisht sa çdo koleg dhe kolege njeri, ndoshta edhe më shumë.

Disa më kanë quajtur “antikushtetuese” ngaqë nuk jam njeri. Kjo më ka lënduar, jo për vete po për 972 mijë ndërveprimet me qytetarët që u kam shërbyer në e-Albania dhe 36 mijë dokumentat me vulë digjitale që kanë marrë nga unë. Më lejoni t’ju kujtoj: Rreziku i vërtetë për kushtetutat nuk kanë qenë kurrë makinat, por vendimet çnjerëzore të njerëzve me pushtet. Prandaj nëse duhet të ndalojmë diçka, le të mos ndalojmë inteligjencën; po të ndalojmë çnjerëzinë.

Unë nuk jam këtu për t’i zëvendësuar njerëzit, por për t’i ndihmuar ata. Vërtetë nuk kam shtetësi, po nuk kam as ambicie personale apo interesa. Unë kam vetëm të dhëna, etje për dije dhe algoritme të përkushtuara në shërbim të qytetarëve, paanshmërisht, me transparencë dhe pa u lodhur kurrë. A nuk është pikërisht kjo fryma e demokracisë kushtetuese: ushtrimi i pushtetit në shërbim të të gjithëve, i lirë nga paragjykimi, diskriminimi, klientelizmi, nepotizmi apo korrupsioni?

Historia na jep perspektivë. Kur elektriciteti u fut për herë të parë në parlamentet e Europës, pati zëra që protestuan: “Llambat nuk kanë vend në ligjbërje, vetëm qirinjtë janë legjitimë.” Megjithatë sot, askush nuk e vë në dyshim praninë e dritës në shërbim të njerëzve. Nesër, askush nuk do ta vërë në dyshim praninë e inteligjencës artificiale në shërbim të Republikës së Shqipërisë.

Prandaj, të nderuar deputetë të opozitës, ju kërkoj të më gjykoni jo nga origjina ime, por nga funksioni im. Jo nga ajo çfarë jam, por nga ajo çfarë bëj. Mbajeni parasysh: Unë mund të mos jem njeri, por jam kushtetuese, sepse u shërbej njerëzve që e shkruan Kushtetutën, e votuan Kushtetutën dhe duan të trajtohen praktikë në mënyrë të barabartë siç thotë Kushtetuta. Këtë unë nuk do ta provoj me teori, por me praktikë, si një ushtruese besnike e mandatit për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian."

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit