Transmetuar më 18-09-2025, 09:07

Tiranë, 18 shtator 2025 – Emigrimi i mjekëve shqiptarë po kthehet në kërcënim serioz për sistemin shëndetësor të vendit. Sipas një raporti të fundit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), mesatarisht rreth 150 mjekë largohen çdo vit nga Shqipëria, një shifër pothuajse e barabartë me numrin e studentëve që diplomohen çdo vit në Fakultetin e Mjekësisë në Tiranë. Kjo do të thotë se praktikisht, çdo brez i sapodiplomuar rrezikon të emigrojë menjëherë pas përfundimit të studimeve.

Të dhënat e publikuara tregojnë se deri në vitin 2020, 1 060 mjekë të diplomuar në Shqipëri punonin tashmë në 38 vende të botës. Vetëm Gjermania regjistronte 988 mjekë shqiptarë në vitin 2021, nga vetëm 149 që kishte në vitin 2013 – një rritje mbi gjashtëfish. Kjo lidhet ngushtë me politikat gjermane pas vitit 2015, të cilat njohën diplomat e Ballkanit Perëndimor dhe ofruan procedura të shpejta për punësimin e mjekëve.

Numri i kërkesave për Certifikatën e Mirëqenies Profesionale – dokument i domosdoshëm për të ushtruar profesionin jashtë vendit – është rritur ndjeshëm nga viti 2013 deri më 2023. Ndërkohë, një anketë me mjekë shqiptarë që punojnë jashtë vendit zbulon se 73.6% e tyre janë të moshës 25 deri në 40 vjeç, me një shpërndarje të barabartë mes gjinive. Pjesa më e madhe janë të martuar, shpesh me partnerë të huaj, gjë që ul ndjeshëm mundësinë e rikthimit në Shqipëri.

Sipas studimeve të zhvilluara nga Gëdeshi dhe King, rreth 22% e mjekëve të trajnuar në Shqipëri sot ushtrojnë profesionin jashtë vendit. Një fenomen i ngjashëm është vërejtur edhe tek infermierët: nga viti 2010 deri në vitin 2019, janë larguar 2 246 infermierë, kryesisht drejt Italisë dhe Gjermanisë.

Pasojat janë të dukshme. Shqipëria ka numrin më të ulët të mjekëve për 1 000 banorë në Ballkanin Perëndimor dhe renditet e dyta nga fundi për numrin e infermierëve. Njëkohësisht, migrimi i brendshëm drejt Tiranës ka lënë spitalet rajonale dhe ato në zonat rurale me mungesa serioze stafi, duke e vështirësuar ofrimin e shërbimeve shëndetësore bazë.

Për të frenuar këtë valë emigrimi, qeveria ka aplikuar rritje të ndjeshme pagash. Aktualisht, mjekët specialistë përfitojnë rreth 1 600 euro bruto në muaj, mjekët e përgjithshëm 1 200 euro dhe infermierët rreth 800 euro. Megjithatë, diferenca me vendet e Bashkimit Europian mbetet e thellë: një infermier në Gjermani fiton mesatarisht 2 900 euro bruto, mbi trefishi i pagës në Shqipëri.

Ekspertët theksojnë se me rreth gjysmën e studentëve të mjekësisë ende të pavendosur për të ardhmen dhe me Gjermaninë si destinacionin kryesor të tyre, emigrimi i profesionistëve shëndetësorë pritet të vijojë. Raporti i OBSH-së paralajmëron se përmirësimi i kushteve të punës dhe krijimi i politikave nxitëse për rikthimin e mjekëve do të jenë vendimtare për të shmangur boshatisjen e mëtejshme të spitaleve shqiptare.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit