Transmetuar më 17-09-2025, 22:09

Programi Inside Story vijon në puntatën e kësaj të mërkure me serinë e dytë të dokumentarit ‘Dumani, zëri i një vrasësi’.

Pas zbulimit të hapave të parë të Nuredin Dumanit në botën e krimit, kjo seri sjell përplasjen e përgjakshme mes bandave.

Rrëfime pa doreza që rrëzuan nga mbretërimi disa prej grupeve më të rrezikshme në vend. Miqësitë e shndërruara në armiqësi të egra, tradhtitë brenda grupeve dhe influencat e formave të ndryshme.

**

Në më pak se tre vite, 16 të vrarë në atentate mafioze mes bandave të reja të Elbasanit. Nëntë nga një krah, shtatë nga tjetri. Të gjithë njerëzit e asaj bote treguan se ishin njësoj… Tradhtonin pas shpine shokët e dikurshëm. Kështu nisi kjo luftë në masakrën e Bradasheshit.

“Vëllezërit Çopja, miq të hershëm tanët, ishin financuesit dhe urdhëruesit. Organizator ishte Mikael Qosja.”

Atentati i trefishtë dhjetorin e vitit 2018 ndaj Endrit Alibejt, xhaxhait të tij Arben Dylgjeri dhe shtetasit turk Erdal Durunay, ortaku më i ngushtë i Alibejve në trafikun e kokainës, ishte sinjali i një lufte ku intriga, pabesia dhe tradhtia do shoqëronin çdo kënd…. Një ngjarje që hapi kutinë e pandorës, nxorri në sipërfaqe bandat e reja, lidhjet politike dhe vrasësit e frikshëm që mbizotëronin qytetin.

“Hajdar Çopja kishte kontaktuar me Mikael Kamamin. Kel Kamami, ishte organizartori dhe ai që njihte çunat, Çunat ishin Talo Çela, Altin Ndoci, Miri Kolës, Dorjan Shkoza, edhe persona të tjerë aty që do dalin më mbrapa që do kemi kohë ti flasim, por që janë për ngjarje të tjera.”

Në periudhën kur ju ekzekutua i vëllai, Erjon Alibej, ishte në kërkim policor për plagosje. Për këtë arsye, nuk mbante telefon.

Atë natë, në prag të festës së ndërrimit të viteve, ai shpërndante gjela deti dhuratë si çdo vit, një ritual familjar për miqtë dhe të afërmit.

Porosia e fundit, ishte një noter. Por, aty gjithçka ndalet…

Dhëndri i familjes Besmir Lala, që e shoqëronte, merr një telefonatë. Ishte bashkëshortja e Erjonit. Me klithma e ulërima e vë në dijeni se kishin qëlluar Endritin!

Për ironi të fatit, në atë moment përball i del një BMW X6 e bardhë. Në timon ishte Mikael Qosja, njeriu që kishte organizuar vrasjen e vëllait të tij.

“Në moment që unë po flisja me Besmir Lalën, mua më shikon makinën Mikael Qosja, edhe, nuk parkon aty ku u nis për te parku, po vjen direkt drejt meje, në moment që vjen drejt meje, unë e shikoj edhe i ul xhamin, në moment që i ul xhamin, i them a ke hekur aty. Hekur nënkupton armë. Ai më thotë mua jo, pse, çfarë ke? Nuk i flas fare dhe shkoj në vendin ku kishte ndodhur ngjarja. Ngjarja kishte ndodhur në Bradashesh. Shkoj shpejt atje”.

Erjon Alibej, mbërriti i pari në vendngjarje, përpara policisë apo ambulancës, edhe pse ngjarja kishte disa minuta që kishte ndodhur. Alibej, sot bashkëpunëtor i drejtësisë, aludon se atentatorët mund të jenë ndihmuar edhe nga shteti.

“Kam emra pa fund për të thënë, Endriti punonte në nivele të larta”, rrëfimi i Alibejit që paralajmëron dosje tronditëse

Në rrëfimin audio që zbulohet për herë të parë nga Inside Story, Erjoni rrëfen se në vendin ku ju ekzekutuan familjarët, zakonisht qëndronte një patrullë policie. Por natën e krimit, edhe pse prag festash, patrulla e zakonshme ishte zhdukur… kjo, i ndezi dyshimet.

“Tentova të ndihmoj Endritin me shumë forcë por ishte e kotë, se i kishte marrë të gjithë plumbat në një anë.. Në sallë të operacionit rri pres pas derës, mbaj mend që i thash doktorit: “të jap shpirtin vetëm ma ngjall vëllain”. Pastaj marr lajmin që kishte ndërruar jetë…..”

Ai moment, ishte fundi i Endritit. Një bos i kokainës i panjohur publikisht, por mjaft i njohur në biznesin e drogës. Por, ishte fillimi i një lufte që do t’i vinte flakën Elbasanit. Një luftë që do zbulonte dy grupe që nuk ishin përmendur kurrë, por, që qarkullonin qindra milionë euro nga trafiku i narkotikëve.

“Endriti ka qenë njeri që kishte shumë njohje në trafikun e drogës. Shumë njohje, shumë lidhje, edhe ishte nga ata njerëz që kërkonin të gjithë të punonin me të. Njerëz me potencë, sepse ishte shumë i aftë, dhe kishte shumë mundësi për shitje të brendshme. Të gjithë ja kishin nevojën. Kur them të gjithë, kam emra pa fund, pa fund për të thënë…”

Pas vrasjes së Endrit Alibejt, rrjeta e intrigave u përshkallëzua. Të gjithë akuzonin njëri-tjetrin. Alibejt u rrethuan nga armiq të panjohur…

Grupi Çapja në konflikt të hershëm me Suel Çelën ja faturonin masakrën këtij të fundit.

Sipas Alibejt, ditën e varrimit të Endritit, Bledar Muca që ishte krahu i djathtë i Çapjave i tha se “Vetëm ai i bën këto masakra”. Pra, një intrigë që synonte të fuste në luftë Alibejtë me Suel Çelën.

Nga ana tjetër vëllezërit Çopja vijuan lojën e dyfishtë duke e lidhur Suelin me ngjarjen për shkak se Erjon Alibej kishte plagosur kushëririn e tij.

Vetë Suel Cela ne nje takim kokë me Erjon Alibejn, i jep atij emrat e saktë të vrasësve të vëllait.

“Nuk kisha ngacmime sepse edhe nga ana e Suelit, edhe nga ana familjes tjetër ishte diçka që ne e kishim mbyllur. Ishte konflikt i mbyllur gjithçka. Problemi ishte i mbyllur gjithçka, në lidhje me Xoni Rustën. Më plagosi dajën, unë plagosa atë, edhe pse ky ishte në faj”.

Pas vrasjes së vëllait, Erjon Alibej shndërrohet në një personazh të frikshëm. Ai nis të mbledhë provat, emrat dhe lidhjet që çonin tek vrasësit. Çdo detaj, çdo lëvizje, çdo mik që kthehej në armik, u regjistrua nga mendja e tij.

Erjoni nuk i besonte më askujt, përveç vetes dhe familjarëve. Investigonte dhe kryente hetime vet në terren. Duke u maskuar si shpërndarës picash, ai dilte nëpër qytet ku mblidhte informacion për atentatorët e vëllait.

“Dua të them që 90% unë i kisha të zbardhur të gjithë historinë e familjarëve të mi. Vetë, me mundësitë e mia, dhe mundësitë e familjarëve, jo nga shteti.”

Vrasësit e të vëllait, ishin miq të e dikurshëm. Ishin vëllezërit Çopja.

Franci, më i vogli i vëllezërve Çopja, shkoi edhe për ngushëllim pas vrasjes së Endritit, duke lënë 50 euro mbi arkivol…

Një akt i heshtur që Erjon Alibej nuk e harroi në dëshminë e tij. Madje, kujtonte se “Dari”, më i madhi i vëllezërve Çopja dikur e nisi rrugën e errët të trafikut me ndihmën e viktimës së tij, Endritit…

“Shkoj në Holandë të takoj Endritin. Ditën që kam shkuar në Holandë, në Roterdam, jetonte në një pallat, GOLD quhej ai pallati. Atë ditë që kam shkuar në shtëpi, atë ditë kam gjetur në shtëpi Hajdar Çopjan. Një njohje e hershme, sepse Elbasani i vogël është. E takoj normalisht. Në një moment, kap veç Endritin, po ky i them ç’do këtu? Sa ka ardhur më thotë, gjynah. Dua ta ndihmoj, sa ti gjej edhe një shtëpi”.

Teksa Erjon Alibej ishte në kërkim të ekzekutorëve të familjarëve të tij, kundërshtarët nuk rrinin duarkryq…..Ata eliminonin një nga një të afërmit e tij.

6 muaj pas vrasjes së Endrit Alibej, pre e një atentati mafioz bien vëllezërit Baho, njerëzit më të afërt të Erjonit.Objektiv ishte Sandër Baho, i njohur me nofkën “Sakati”. Por, viktimë mbeti vëllai i tij i vogël Klevi…..

Dy vëllezërit u zunë në pritë në fshatin Broshkë, shumë pranë banesës së tyre. Sipas dosjes hetimore, mjeti i atentatorëve drejtohej nga Talo Çela ndërsa ekzekutorë ishin Altin Ndoci dhe Besmir Haxhia.

Pas të shtënave të para Klevi Baho, doli nga mjeti dhe u kundërpërgjigj me pistoletë. Pas këtij momenti, kallashnikovët drejtohen drejt tij. I gjendur në këtë situatë Klevi hidhet nga një urë aty pranë ku u gjet i vdekur 30 minuta më vonë.

Disa muaj pas atentatit ndaj vëllezërve Baho, gjaku u derdh sërish për familjen Alibej. Andi Zylyfi, djali i dajës së Erjon Alibejt u ekzekutua në fshatin Përparim. Faji i tij i vetëm ishte afrimiteti me kushëririn…

“I bëjnë atentat djalit të dajës tim, një djalë 25 vjeçar, një djalë që s’kishte marrë kurrë në jetën e tij gjobë me makinë. E vranë vetëm se ishte pranë meje, pranë familjes time që më shërbente”

Erjon Alibej, i njohur ndryshe si “Krymi”, u shndërrua në hije. Ai u ruhej jo vetëm kundërshtarëve, por edhe drejtësisë. Plani i tij ishte hakmarrja…Këtu, nis rrugëtimi i tij i përbashkët kriminal me vrasësin e frikshëm Nuredin Dumani. Parimi ishte i njohur: “armiku i armikut tim është miku im…”

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit