

17 Shtator, 2025
Drejtoria e Burgjeve ka vënë në pranga një punonjës të burgut të Lushnjes për ryshfet.
Pas denoncimit nga emisioni Stop, ku u filmua Irekli Leka duke marrë një shumë parash në këmbim të një leje shpërblyese për një të dënuar, punonjësit i burgut është përjashtuar nga radhët e Policisë së Burgjeve.
Po ashtu janë pezulluar nga detyra drejtori dhe nëndrejtori i IEVP Lushnje.
Njoftimi i Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve:
Në vijim të ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e djeshme, ku Shefi i Regjimit të Brendshëm në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) Lushnjë, Irekli Leka, u filmua duke marrë një shumë parash në këmbim të një leje shpërblyese për një të dënuar, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka ndërmarrë menjëherë masa administrative dhe disiplinore.
Me Urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm është pezulluar nga detyra drejtori dhe nëndrejtori i institucionit si dhe është përjashtuar nga radhët e Policisë së Burgjeve punonjësi i dyshuar për korrupsion pasiv.
Pas publikimit të pamjeve filmike në emisionin investigativ “Stop”, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, në bashkëpunim të ngushtë me Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm dhe nën koordinimin e Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), ka bërë të mundur arrestimin e punonjësit të dyshuar brenda 30 minutash nga transmetimi i materialit filmik.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve falënderon median për angazhimin e saj në zbardhjen e rasteve të abuzimit me detyrën dhe thekson angazhimin e palëkundur për të garantuar integritetin, transparencën dhe zbatimin me përpikëri të ligjit në çdo hallkë të sistemit penitenciar.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





