Transmetuar më 17-09-2025, 08:11

Pavarësisht rritjes së vazhdueshme të pagave nominale gjatë viteve të fundit, qytetarët shqiptarë po përballen me një rënie të ndjeshme të fuqisë blerëse. Të dhënat zyrtare të publikuara nga INSTAT për tremujorin e dytë të vitit 2025 tregojnë se paga reale mesatare mujore bruto ishte vetëm 70,288 lekë, e indeksuar me inflacionin me bazë vitin 2020. Kjo përfaqëson një rënie prej 16.3 për qind krahasuar me pagën mesatare nominale të së njëjtës periudhë, e cila ishte 83,906 lekë.

Sipas përllogaritjeve të INSTAT, me rreth 84 mijë lekë në vitin 2025, një qytetar blen po aq mallra sa blinte me 70 mijë lekë në vitin 2020. Diferenca prej mbi 13 mijë lekësh midis pagës nominale dhe asaj reale pasqyron ndikimin e drejtpërdrejtë të inflacionit në mirëqenien ekonomike të individëve.

Të dhënat historike të pagave për periudhën 2020–2025 tregojnë një rritje të shpejtë të pagës mesatare mujore në terma nominalë. Në vitin 2020, paga mesatare ishte rreth 55 mijë lekë. Kjo shifër u rrit në mbi 59 mijë lekë në vitin 2021, periudhë gjatë së cilës inflacioni ishte i ulët dhe rritja e pagave përkthehej në përmirësim të drejtpërdrejtë të fuqisë blerëse. Megjithatë, që prej vitit 2022, ndikimi i çmimeve është bërë gjithnjë e më i ndjeshëm. Në atë vit, megjithëse paga nominale arriti në 66 mijë lekë, paga reale mbeti në të njëjtat nivele si një vit më parë, për shkak të inflacionit të lartë.

Në vitin 2023 u vu re një rikuperim i pjesshëm, kur rritja e fortë e pagave nominale arriti të tejkalojë rritjen e çmimeve. Paga reale arriti në 64,957 lekë, ndërsa paga nominale ishte 75 mijë lekë. Ky trend vijoi edhe në vitin 2024, kur për herë të parë paga reale kaloi pragun e 70 mijë lekëve, ndërsa paga nominale u rrit mbi 83 mijë lekë.

Megjithatë, në vitin 2025 është vërejtur një përkeqësim i raportit mes pagës reale dhe asaj nominale. Në tremujorin e dytë të vitit, paga reale përfaqëson vetëm 84 për qind të pagës nominale, krahasuar me 90 për qind që ishte ky raport në vitin 2022. Kjo tregon se, pavarësisht përpjekjeve për rritjen e pagës minimale dhe përmirësimin e të ardhurave në sektorin publik dhe privat, rritja e çmimeve vazhdon të zbehë përfitimet reale të qytetarëve.

Sipas ekspertëve të ekonomisë, rritja e kostove të jetesës, veçanërisht për ushqimet bazë dhe qiratë, ka bërë që efektet e rritjes së pagave të ndihen shumë pak në jetën e përditshme të qytetarëve. Ndërsa paga mesatare rritet në dokumente, fuqia reale për të përballuar shpenzimet mbetet e kufizuar.

Ecuria e pagës reale gjatë pesë viteve të fundit tregon qartë se rritja e të ardhurave duhet të shoqërohet me politika efektive për kontrollin e inflacionit. Në të kundërt, hendeku mes pagës në letër dhe realitetit ekonomik të qytetarëve do të vijojë të thellohet.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit