

KILI – Sporti italian dhe ai ndërkombëtar është në zi pas vdekjes së skiatorit Matteo Franzoso, i cili humbi jetën në moshën 25-vjeçare në një spital të Santiagos, Kili. Franzoso pësoi një aksident të rëndë gjatë një seance stërvitore në pistën e La Parva, rreth 50 km nga kryeqyteti kilian.
Gjatë një zbritjeje, ai humbi kontrollin në një kërcim të vogël dhe u përplas jashtë pistës, duke kaluar dy rrjeta mbrojtëse dhe goditur një gardh. Menjëherë u transportua me helikopter në spital dhe u vendos në koma të induktuar, por dëmtimet e rënda në kokë dhe edema cerebrale rezultuan fatale.
Franzoso, që nesër do të festonte ditëlindjen e 26-të, ishte pjesë e skuadrës së Fiamme Gialle dhe kishte mbërritur në Kili më 6 shtator për stërvitje së bashku me emra të njohur si Dominik Paris, Christof Innerhofer dhe Mattia Casse. I njohur si djalë i qeshur dhe i dashur, ai kishte nisur karrierën në Sestriere.
Në nivel ndërkombëtar, Franzoso kishte arritur vendin e katërt në Botërorin Junior të vitit 2020 në disiplinën e zbritjes. Në Kupën e Europës debutoi në 2017, ndërsa fitoren e parë e mori në super-G në Zinal, Zvicër, më 2021. Po atë sezon debutoi edhe në Kupën e Botës, ku grumbulloi 17 paraqitje, me rezultatin më të mirë vendin e 28-të në Cortina d’Ampezzo (janar 2023). Në të njëjtin vit fitoi edhe titullin italian në kombinim.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





