Transmetuar më 16-09-2025, 09:35

KORÇË- Prokuroria e Korçës ka kopsitur dosjen ndaj mësuesit që ngacmonte nxënëset seksualisht. Mësohet se ndaj mësuesit rëndon akuza për ‘Ngacmim seksual’ ndaj të miturve, përmes aplikacionit WhatsApp. Ngjarja e rëndë është denoncuar nga vetë nxënëset në Polici në vitin 2024.

Sipas denoncimit të vajzave, ato kanë deklaruar se komunikimet e mësuesit kishin karakter ngacmues, duke përfshirë kërkesa të papërshtatshme dhe cenim të dinjitetit të tyre. Ndërkohë që ekspertiza ka treguar se kjo ngjarje ka shkaktuar gjendje ankthi dhe stresi të theksuar tek të miturat.

Njoftimi i Prokurorisë:

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Korçë, përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq shtetasin B.D. i akuzuar për veprën penale ‘Ngacmim seksual’ ndaj të miturve, parashikuar nga neni 108/a/2 i Kodit Penal. Nga hetimet mbi procedimin penal nr.1449/2024, rezultoi se ngjarja ka ndodhur më nëntor të vitit 2024, kur prindërit e dy nxënëseve, të identifikuara me inicialet I.B. dhe A.K., denoncuan në polici mesazhe me përmbajtje seksuale të dërguara nga mësuesi përmes aplikacionit WhatsApp.

Vajzat kanë deklaruar se komunikimet kishin karakter ngacmues, duke përfshirë kërkesa të papërshtatshme dhe cenim të dinjitetit të tyre. Prokuroria administroi prova të shumta, përfshirë kqyrjen e aparateve celulare të të miturave dhe të të pandehurit, ekspertiza teknike të bisedave, si dhe deklarimet e vajzave të marra në prani të psikologëve dhe përfaqësuesve ligjorë.

Raportet e ekspertimit psikologjik treguan se ngjarja ka shkaktuar gjendje ankthi dhe stresi të theksuar tek të miturat, duke imponuar nevojën për mbështetje të specializuar terapeutike. Në përfundim të hetimeve, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Korçë thekson se rasti në fjalë përmbush të gjithë elementët e veprës penale të “Ngacmimit seksual” ndaj fëmijëve, një krim që ligji shqiptar e parashikon si vepër me rrezikshmëri të lartë shoqërore.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit