

Tiranë, 2025 – Struktura e investimeve në ekonominë shqiptare vijon të dominohet nga sektori i ndërtimit, veçanërisht banesat, ndërkohë që vihet re një ulje e ndjeshme e orientimit drejt teknologjisë dhe makinerive. Të dhënat zyrtare nga INSTAT, të bazuara në Formimin Bruto të Kapitalit Fiks (FBKF), konfirmojnë përkeqësimin e tendencës së investimeve në sektorët produktivë të ekonomisë.
Gjatë vitit 2024, 31.5% e investimeve neto janë përqendruar në ndërtimin e banesave, një rritje nga 30.8% që ishte një vit më parë. Kjo rritje e vazhdueshme thekson zhvendosjen e kapitalit drejt aseteve jo-produktive që nuk gjenerojnë prodhim apo punësim afatgjatë.
Ndërkohë, investimet në makineri dhe pajisje kanë shënuar rënie, nga 24.2% në 2023 në 23.9% në 2024. Brenda këtij grupi, pajisjet e transportit zbritën nga 7.4% në 7.2%, ndërsa investimet për makineri të tjera pësuan një rënie me 0.4 pikë përqindje.
Sektorët që lidhen me modernizimin teknologjik mbeten në nivele shumë të ulëta. Investimet në pajisje të teknologjisë së informacionit përbëjnë vetëm 0.21% të totalit të FBKF-së, duke treguar mungesën e fokusit në zhvillimin teknologjik dhe dixhitalizimin e ekonomisë.
Megjithatë, një zhvillim pozitiv vërehet tek produktet e pronësisë intelektuale, të cilat pavarësisht se përfaqësojnë një peshë të vogël, janë rritur lehtë nga 0.32% në 0.37%, sinjalizim i një interesi të moderuar për inovacion dhe kapital të paprekshëm. Sektorë si kërkimet minerare dhe softuerët kanë ruajtur stabilitet, megjithëse në nivele të ulëta.
Në kahun tjetër, bujqësia – veçanërisht në nënsektorët e blegtorisë, pemtarisë dhe pyjeve – vazhdon të mbetet jashtë vëmendjes së investimeve. Blegtoria, në veçanti, regjistron vlera negative, duke treguar ulje të stokut të investimeve neto apo dalje të aseteve nga përdorimi.
Të dhënat sinjalizojnë një strukturë të paqëndrueshme të kapitalit fiks, me përqendrim të lartë në ndërtim dhe sektorë jo-produktivë. Kjo tendencë rrezikon të ngadalësojë rritjen afatgjatë ekonomike dhe të vonojë transformimin e nevojshëm drejt një ekonomie më të orientuar nga prodhimi, inovacioni dhe teknologjia.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





