Transmetuar më 14-09-2025, 23:17

SPANJE – Barcelona dhuroi spektakël dhe një fitore të thellë 6-0 ndaj Valencias në “Estadi Johan Cruyff”, duke treguar forcën e saj ofensive me gola të bukur dhe dominim të plotë në fushë. Kuqeblutë zhbllokuan rezultatin në minutën e 29-të. Ferran Torres asistoi bukur për Fermín López, i cili tregoi vendosmëri në zonë dhe me një goditje të saktë dërgoi topin në cepin e portës, 1-0 për Barcelonën.

Pas pushimit, katalanasit shpërthyen me gola të njëpasnjëshëm. Në minutën e 53-të, Marcus Rashford krosoi në zonë dhe Raphinha u gjend në vendin e duhur për ta shtyrë topin në rrjetë, duke dyfishuar shifrat në 2-0. Vetëm pak më vonë, në minutën e 56-të, Fermín López realizoi golin e dytë personal me një predhë nga distanca që u ndal në shtyllën e majtë të portës kundërshtare, duke çuar rezultatin në 3-0.

Spektakli nuk ndalej. Në minutën e 66-të, Raphinha shënoi ‘dopietën’ e tij me një goditje të ulët dhe të saktë, duke e çuar avantazhin në 4-0.

Në minutën e 76-të, ishte radha e Robert Lewandowskit, i cili pasi mori një asist nga Dani Olmo, goditi fort drejt trekëndëshit dhe topi përfundoi në rrjetë pas një përplasjeje me shtyllën. Barcelona kryesonte 5-0. Në fund, polaku gjeti edhe golin e dytë personal. Në minutën e 86-të ai shënoi sërish, me Barcelonën e cila e mbylli sfidën me rezultat të thellë 6-0. Barcelona dhuroi futboll spektakolar, me Fermín López dhe Raphinha protagonistë absolutë, ndërsa Lewandowski vulosi një mbrëmje të paharrueshme për katalanasit.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit