Transmetuar më 14-09-2025, 11:22

Fier, 14 shtator 2025 – Fier, 14 shtator 2025 – Policia e Shtetit dhe Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier kanë bërë publike sot rezultatet e operacionit policor të koduar “XUEX”, i cili synoi goditjen e një rrjeti të strukturuar që vepronte përmes mashtrimeve financiare online, të njohura ndryshe si skema piramidale.

Në një konferencë të përbashkët për shtyp, Drejtoresha e Drejtorisë për Hetimin e Krimit Kibernetik në Departamentin e Policisë Kriminale, Drejtuese e Parë Ervina Gjana, dhe Prokurorja pranë Prokurorisë së Fierit, Jonida Allushi, dhanë detaje mbi hetimin dhe finalizimin e këtij operacioni.

Hetimi u zhvillua pas një sërë kallëzimesh nga qytetarë që ishin mashtruar përmes platformave online të investimeve të rreme, ku u premtohej fitim i shpejtë dhe i sigurt përmes investimeve në kriptomonedha si USDT dhe TRON. Në realitet, këto ishin skema mashtruese që funksiononin sipas modelit piramidal, duke përfituar financiarisht përmes rekrutimit të investitorëve të rinj.

Pas një hetimi disa mujor dhe përdorimit të metodave speciale hetimore, u bë i mundur goditja e këtij aktiviteti kriminal dhe arrestimi i 6 shtetasve:

Arbër Çela

Emanuel Taullau

Flavio Mukaj

Marius Kodra

Brunilda Todi

Brunilda Ndini

Gjithashtu, dy persona të tjerë janë shpallur në kërkim dhe po vijon puna për kapjen e tyre.

Operacioni u shtri në qytetet Fier, Tiranë, Dibër, Berat dhe Gramsh, ku u ushtruan gjithsej 83 kontrolle në banesa dhe ambiente të tjera. Personat e arrestuar dyshohet se ishin pjesë e niveleve të larta të zinxhirit të skemës, duke vepruar si agjentë që rekrutonin qytetarë dhe i orientonin përmes platformave të komunikimit si Telegram, mbi mënyrën e “investimit” dhe kalimit të fondeve në kriptomonedha.

Përdorimi i kriptomonedhave ishte një element kyç i skemës, për shkak të vështirësisë në gjurmimin e transaksioneve dhe perceptimit të gabuar të tyre si mjete të sigurta investimi. Në bashkëpunim me partnerë vendas dhe ndërkombëtarë, Policia ka përdorur teknologji të avancuar të analizës blockchain për të identifikuar rrjedhën e fondeve dhe për të dokumentuar aktivitetin kriminal.

Strukturat hetimore theksuan se hetimet për këtë rast vijojnë, me qëllim zbardhjen e plotë të rrjetit dhe identifikimin e organizatorëve të tjerë. Rasti “XUEX” shërben si një paralajmërim për qytetarët që të mos bien pre e mashtrimeve financiare në internet dhe të verifikojnë çdo ofertë “të sigurt” investimi përpara se të kryejnë veprime financiare.

Deklarata e Drejtorisë së Policisë Fier:

Konferencë e përbashkët për shtyp mes Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë së Fierit për goditjen e skemave piramidale online.

Përshëndetje, jemi sot këtu përpara jush, bashkë me Drejtoreshën e Drejtorisë për Hetimin e Krimit Kibernetik në Deparatamentin e Policsië Kriminale Drejtuese e Parë Ervina Gjana dhe Prokuroren pranë Prokurorisë së Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, Jonida Allushi, për të bërë me dije rezultet e operacionit policor të koduar “XUEX”, për goditjen e veprimtarisë kriminale online të skemave piramidale, operacion i cili u fillua dhe u finalizua në qarkun Fier.

Ky operacion u zhvillua në shkallë të gjerë, me kontrolle personash dhe banesash në disa qytete dhe u finalizua me arrestimin e 6 shtetasve dhe shpalljen në kërkim të 2 të tjerëve. Fillimisht po ja kaloj fjalën Drejtoreshë Ervinës dhe më pas do bëj me dije rezultatet e finalizmit të operacionit.

Nga ana e strukturave të specializuara të Polcisië së Shtetit, nisur nga shqetësimet e ngritura nga qytetarët për mashtrime online me pretendimin e investimeve duke përfituar, por në të vërtetë ishin skema piramidale duke mashtuar qytetarët dhe përfituar paratë e tyre të investuara në këto skema piramidale, menjëherë filloi puna për investigimin, sigurimin e informacionit dhe goditjen e tyre, krahas kësaj nga Policia e Shtetit u njoftuan qytetarët që të mos kryenin asnjë veprim në të tilla skema pridamidale.

Në vijim të punës voluminoze, hetimore dhe profesionale, nga strukturat e Policisë së Shtetit u bë finalizimi i operacionit policor të koduar “XUEX”,, operacion i cili u zhvillua nga Drejtoria e Hetimit të Krimit Kibernetik në Departamentin e Policisë Kriminale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim të ngushtë me Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Fier.

Ky operacion është rezultat i një hetimi disa mujor i mbështetur mbi informacione të verifikuara dhe punë të specializuar hetimore, që synonte goditjen e një skeme të dyshuar mashtruese piramidale, e cila funksiononte online përmes formave moderne të mashtrimit financiar dhe përdorimit të kriptomonedhave. Operacioni u shtri në qytetet Fier, Tiranë, Dibër, Berat dhe Gramsh dhe u ushtruan gjithsej 83 kontrolle persoansh dhe banesash.

Hetimi ka dokumentuar aktivitetin e një rrjeti individësh që vepronin si agjentë kryesorë, duke promovuar platforma të rreme investimi nëpërmjet të cilave qytetarëve u premtohej fitim i shpejtë dhe i sigurt. Këta individë, të pozicionuar në nivelet e para të zinxhirit të skemës, kishin rol kyç në rekrutimin e pjesëmarrësve të rinj dhe në orientimin e tyre përmes grupeve të mbyllura në aplikacione si Telegram. Aty ata udhëzoheshin se si të investonin në kriptomonedha si USDT dhe TRON me idenë se përmes këtyre investimeve do të shumëfishonin fitimet e tyre.

Përdorimi i kriptomonedhave në këtë skemë nuk ishte rastësor – përkundrazi, ato u zgjodhën pikërisht për vështirësinë që ofrojnë në gjurmim dhe për perceptimin e gabuar që kanë tek shumë qytetarë si mjete “moderne” dhe të sigurta për investim.

Falë përdorimit të teknologjive të avancuara të analizës së zinxhirit të bllokut (blockchain) dhe metodave speciale hetimore, u bë e mundur identifikimi i disa prej aktorëve kyç që operonin në terren, të cilët kanë shërbyer si hallka lidhëse mes qytetarëve dhe organizatorëve të skemës. Organizatorët e vërtetë të kësaj skeme vijojnë të jenë objekt hetimi, dhe Policia e Shtetit, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqesor Fier, po ndjek të gjitha gjurmët për të zbardhur tërësisht strukturën e këtij rrjeti dhe për të vendosur para drejtësisë të gjithë personat përgjegjës.

Ky rast duhet të shërbejë si një thirrje e fortë për ndërgjegjësimin e qytetarëve: mos besoni në “investime të sigurta” që premtojnë fitim të menjëhershëm. Mos lejoni që emocionet, dëshira për përfitim të shpejtë apo presioni nga persona të njohur t’ju shtyjë të bëheni pjesë e strukturave të tilla. Ato nuk janë mundësi investimi – janë mashtrime të strukturuara, të sofistikuara dhe të rrezikshme, ku në fund gjithmonë humbin më të pambrojturit.

Policia e Shtetit do të vazhdojë punën me përkushtim për të goditur çdo formë të krimit kibernetik dhe ekonomik, dhe njëkohësisht fton qytetarët që të tregojnë kujdes maksimal dhe të denoncojnë çdo rast të dyshuar përmes strukturave tona ose platformave zyrtare të komunikimit. Faleminderit dhe tani Drejtori i qarkut do bëjë me dije rezultate e operacionit në qarkun Fier.

Sic bëra me dije në fillim të konferencës, për finalizimin e operacionit te koduar "XUEX", u angazhuan të gjitha strukturat hetimore dhe operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, ku në zbatim të vendimit të Gjykatës Fier, u ushtruan 83 kontrolle personash, banesash dhe subjektesh lidhur me një skemë të dyshuar investimesh piramidale, nëpërmjet platformave online. Gjatë operacionit u kapën dhe u vunë në pranga shtetasit: A. Ç., 38 vjeç, E. T., 21 vjeç, F. M., 23 vjeç, të tre banues në Lushnjë, M. K. 28 vjeç, banues në Tiranë, B. T., 38 vjeçe dhe B.N., 38 vjeçe, të dyja banuese në Divjakë, të dyshuar për veprat penale "Skemat mashtruese piramidale" dhe "Mashtrim Kompjuterik". Gjithashtu u shpallën në kërkim shtetasit E. Sh., 35 vjeç dhe A. Sh. 29 vjeçe, të dy banues në Divjakë, të dyshuar për veprat penale "Skemat mashtruese piramidale" dhe "Mashtrim Kompjuterik".

Nga hetimet rezulton se këta shtetas kanë vepruar si agjentë kyç të kësaj skeme mashtruese. Skema funksiononte mbi modelin klasik piramidal: qytetarët që investonin, udhëzoheshin të sillnin të paktën 5 persona të tjerë në system, për të rritur përfitimet e tyre. Sa më shumë persona të sillje dhe sa me e madhe vlera e investuar, aq më shumë të ardhura të premtuara. Por në të vërtetë, këto nuk ishin investime reale, por një mekanizëm i mirëorganizuar për të përfituar fonde përmes mashtrimit, ku vetëm nivelet më të larta fitonin, ndërsa shumica sidomos pjesa fundore e piramidës humbnin kursimet e tyre.

Po gjatë operacionit u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale: 50 aparate celularë, 11 njësi kompjuterike, 1 DVR, 2 hardisk, 1 automjet, 4.2 milion lekë, 28 mijë euro, 1750 dollarë dhe 340 franga. Gjithashtu, u ngrinë gjashtë llogari të kriptomonedhave, që dyshohet se janë përdorur për të kanalizuar të ardhurat nga aktiviteti kriminal. Duke përfituar nga rasti dua të siguroj qytetarët e qarkut Fier se strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier janë të angazhuara maksimalisht për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive dhe për garantimin e sigurisë së nxënësve në shkolla. Në këtë kuadër ftoj të gjithë qytetarët që të bashkëpunojnë akoma më shumë me Policinë dhe të denoncojnë çdo paligjshmëri në numrin 112 duke ju garantuar anonimat të plotë dhe reagim të menjëhershëm e professional nga ana e strukturave të policisë.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit