

VALBONË- Aksioni i prishjes së bujtinave në Valbonë ka vijuar sërish sot me ndërhyrjen e IKMT dhe forcave të rendit, duke shembur godina të ndërtuara prej druri nga banorët vendas. Një çift i moshuarish, që jeton prej vitesh në Valbonë, duke folur për Syri Tv, kanë shpërthyer në lot dhe akuza të forta ndaj qeverisë, ndërsa bujtina e tyre tre-dhomëshe, po përgatitet për shembje.
“As serbi nuk na e bënte këtë! Jemi në tokën tonë, në shtëpinë tonë! Është gjynah, jemi shqiptarë, shqiptari shqiptarit nuk ja bën këtë! Ky është gazep!”, thotë burri i moshuar.
Ai tregon se ndërtimi është bërë me para borxh, se fëmijët i ka jashtë shtetit dhe kjo bujtinë ishte i vetmi burim jetese.
“Këto i kemi me mund. I kemi paguar gjithçka, edhe dritat. Kur po e ndërtonim, erdhi policia dhe na tha ‘ju ectë mbarë’. E sot, na shembin gjithçka! Me mirë të na kishin pushkatuar!”, shprehet ai.
Ndërkohë, bashkëshortja e tij, me sytë me lot, shton: “Këto shtëpi pa na vra nuk shemben. Janë me lagështirë, me baltë, punojmë për një copë bukë. Këtë vit i bëmë, e e dinim ku ishim. E sot ja ku jemi… pa mëshirë.”
Të dy kërkojnë që qeveria të ndalë këtë masakër të ndërtimeve të thjeshta që i shërbejnë turizmit dhe mbijetesës së banorëve vendas.
“30 vite ja kam dhënë votën këtij Ramës, e sot më më pushkatoi! Nuk e prisja këtë, nga vet shqiptarët! Kërkojmë vetëm të mos na i prishin është gjynah,” thanë ata.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





