Transmetuar më 12-09-2025, 21:25

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka shprehur keqardhje dhe ka thënë se është e shqetësuar thellë për vendimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për pezullim të dialogut strategjik me Kosovën.

Në një deklaratë, Osmani ka thënë se Republika e Kosovës është ndërtuar mbi themelet e miqësisë së pathyeshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Ky raport nuk është vetëm diplomatik, por është pjesë ekzistenciale e identitetit tonë shtetëror dhe kombëtar. Drejt këtij qëllimi, angazhimi i Presidentes ka qenë dhe mbetet i palëkundur dhe i vazhdueshëm, siç është konfirmuar vazhdimisht nga lidershipi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përfshirë në letrën e fundit të Presidentit Trump drejtuar Presidentes Osmani të gushtit 2025. Prandaj, Presidentja shprehë keqardhje dhe shqetësim të thellë rreth vendimit për pezullimin e Dialogut Strategjik, një mekanizëm i rëndësishëm i bashkëpunimit në mes Kosovës dhe ShBA-ve”, thuhet në deklaratën e saj.

Osmani ka thënë se çështja e aleancës me SHBA-në është çështje strategjike që kërkon unitet politik dhe angazhim të të gjithëve në Kosovë.

“Qytetarët e Kosovës e dinë se liria e tyre u bë realitet edhe me ndihmën vendimtare të SHBA-së dhe se pa këtë miqësi historike nuk do të kishim arritur kurrë këtu ku jemi sot. Presidentja e Republikës së Kosovës do të vazhdojë të punojë ngushtë me Shtetet e Bashkuara në të gjitha fushat e interesit të përbashkët: forcimin e paqes dhe stabilitetit në rajon, demokratizimin e mëtejshëm të vendit tonë, ndërtimin e një të ardhmeje euroatlantike, si dhe mbrojtjen e vazhdueshme të sovranitetit, integritetit territorial dhe rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”, ka vazhduar ajo.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit