Transmetuar më 11-09-2025, 20:41

Një raport i Parlamentit të Francës për rrjetin social, TikTok, ka rekomanduar të enjten ndalimin e rrjeteve sociale për fëmijët nën moshën 15-vjeçare dhe vendosjen e një “orari policor digjital” për të rinjtë e moshës 15 deri në 18-vjeçare, në përpjekje për ta frenuar ndikimin negativ mbi shëndetin e tyre.

“Një ndalim i tillë do të dërgonte një mesazh si për fëmijët, ashtu edhe për prindërit, se rrjetet sociale nuk janë të padëmshme para moshës 15-vjeçare”, tha për AFP Laure Miller, raportuese e komisionit parlamentar hetimor.

Komisioni, i ngritur në mars, ka intervistuar familje viktimash, menaxherë të platformave sociale dhe influencerë për të analizuar algoritmin e TikTok-ut, një aplikacion jashtëzakonisht i popullarizuar mes të rinjve, i cili “kopjohet nga rrjete të tjera sociale”, sipas Millerit.

Ai u krijua pas proceseve ligjore kundër TikTok-ut në Francë në fund të vitit 2024, pas një padie nga shtatë familje që akuzuan platformën se ekspozon fëmijët ndaj përmbajtjeve që mund t’i nxisin drejt vetëvrasjes.

Është e vështirë për ne prindërit ta kontrollojmë këtë gjë”, tha për AFP Geraldine, 52-vjeçare, dhe një nga paditëset që kërkoi të mbetej anonime.

Ajo humbi vajzën e saj Penelope, 18-vjeçare, në shkurt të vitit 2024, e cila kreu vetëvrasje. Më pas, ajo zbuloi se vajza kishte publikuar dhe shikuar në TikTok video me përmbajtje që nxisnin vetëlëndim.

TikTok pretendon se siguria e të rinjve është prioriteti kryesor i kompanisë.

Raporti paralajmëron se, nëse brenda tri vjetësh rrjetet sociale nuk përmbushin detyrimet ligjore, sidomos ato të përcaktuara në Rregulloren Evropiane për Shërbimet Digjitale (DSA), mund të shkohet deri në ndalimin e përdorimit për personat nën 18-vjeçarë.

Disa vende të BE-së, përfshirë Francën, Spanjën dhe Greqinë, kohët e fundit i kanë bërë thirrje Brukselit për rregullim më të rreptë të platformave online për fëmijët, për shkak të shqetësimeve mbi varësinë, bullizmin digjital dhe përhapjen e gjuhës së urrejtjes.

Menaxherët e TikTok-ut, i cili është pronë e kompanisë kineze ByteDance, theksuan se sistemi i vëzhgimit i bazuar në inteligjencën artificiale ka mundësuar heqjen e 98 për qind të përmbajtjeve që shkelin rregullat e përdorimit në Francë vitin e kaluar.

Megjithatë, sipas komisionit, përmbajtjet e dëmshme vazhdojnë të qarkullojnë, duke shkaktuar, ndër të tjera, humbje të vëmendjes, çrregullime të gjumit dhe probleme me vetëvlerësimin.

Për të rinjtë e moshës 15 deri në 18-vjeçare, raporti propozon një “orë policore digjitale”, sipas së cilës rrjetet sociale do të bëheshin të paqasshme nga ora 22:00 deri në orën 08:00. REL

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit