

Tiranë- Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Beirsha, e quajti “korbë të korrupsionit” Ogerta Manastirliun, kandidaten e propozuar nga Edi Rama për Bashkinë e Tiranës.
“Dhe kë i çoi Tiranës? I çoi korbën e korrupsionit. I çoi njeriun që me qëndrimet që mbajti ndaj Covid-it, meriton në mënyrë absolute, minimumi dënim të përjetshëm. Janë 22 mijë vdekje që ajo i fshihte. Plus gjërat e tjera. Janë 500 milionë euro, të avulluara, të dhëna për Covid-in. Dhe ky e çon atë për qytetarët e Tiranës sikur ta ketë Tiranën kopshtin e PS”, tha Berisha në një konferencë për mediat.
Berisha falënderoi kandidatin e PD për Bashkinë Tiranë në zgjedhjet e fundit, Belind Këlliçin, për punën që bëri duke denoncuar kryebashkiakun Erion Veliaj, i cili sot ndodhet në paraburgim. “Duhet ta përgëzoj degën e Tiranës dhe Belind Këlliçin që për 46 javë nuk iu ndanë atij hajduti, ndër më të poshtrit që ka Shqipëria dhe që e ka emrin Erion Veliaj”.
Gjatë fjalës së tij në Asamblenë e Partisë Socialiste, Rama i kërkoi anëtarëve të Këshillit Bashkiak të Tiranës që të nisnin procedurat për shkarkimin e kryetarit Veliaj, për t’i hapur rrugë zgjedhjeve.
Një ditë më parë, Prokuroria e Posaçme dërgoi dosjen e Veliajt në gjykatë, pasi mbylli hetimet ndaj tij. Veliaj akuzohet për korrupsion dhe vepra të tjera penale.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





