Transmetuar më 10-09-2025, 09:37

Policia e Beratit, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit, ka finalizuar operacionin e koduar “Again”, duke çuar në pranga tre persona, mes tyre administratori i një subjekti të grumbullimit dhe eksportit të perimeve, si dhe dy inspektorë të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU).

Hetimet kanë zbuluar se administratori i subjektit, shtetasi Mariglen Qorri, 40 vjeç, banues në Kuçovë, kishte eksportuar drejt Kroacisë 8 tonë domate, të cilat pas analizave rezultuan me përmbajtje të lartë të preparatit të ndaluar “Chlorfenapyr”. Autoritetet kroate kanë urdhëruar asgjësimin e sasisë së produktit. Për të shmangur përgjegjësinë, ai dyshohet se ka përdorur fatura fiktive blerjeje nga fermerë të tjerë.

Në pranga u vunë edhe dy inspektorët e AKU-së Berat, Ronaldo Lika, 27 vjeç, banues në Tiranë dhe Griselda Doksani, 25 vjeçe, banuese në Berat, të cilët, gjatë kontrollit në subjekt, kanë plotësuar në mënyrë fiktive praktikat zyrtare, duke mos kryer marrjen e mostrave dhe duke pranuar faturat fiktive si të rregullta.

Gjatë operacionit, në magazinat e subjektit u sekuestruan perime të ndryshme, për të cilat dyshohet se janë të kontaminuara me preparate të ndaluara. Mostrat e tyre janë dërguar për analizë laboratorike.

Materialet i janë referuar Prokurorisë së Beratit për veprime të mëtejshme ligjore.

Berat/ Finalizohet nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale, në drejtimin e Prokurorisë së Beratit, operacioni "Again".

Prodhoi dhe eksportoi drejt shtetit Kroat, perime me nivel të lartë preparati "Chlorfenapyr", si dhe me fatura fiktive blerjeje, vihet në pranga administratori i subjektit.

Në pranga dhe dy inspektorë të AKU Berat, pasi gjatë kontrollit që kanë kryer në këtë subjekt, kanë plotësuar praktikën në mënyrë fiktive.

Sekuestrohen perime të ndryshme të cilat dyshohet të jenë të kontaminuara me sasi preparati.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale dhe në drejtimin e Prokurorisë së Beratit, pas informacioneve të marra se në një subjekt grumbulloheshin dhe eksportoheshin perime, për të cilat kishte paligjshmëri në eksportim, organizuan punën dhe finalizuan operacionin "Again".

Gjatë operacionit u vunë në pranga 3 shtetas, konkretisht:

-M. Q., 40 vjeç, banues në Kuçovë, administrator i subjektit të grumbullimit dhe eksportimit të perimeve. Ky shtetas kishte prodhuar dhe më pas kishte eksportuar drejt shtetit Kroat, 8 tonë domate të cilat pas analizave të kryera kishin rezultuar me përbërje të lartë të preparatit "Chlorefenapyr", dhe ishin asgjësuar nga autoritetet kroate. Gjithashtu, për të shmangur përgjegjësisë ligjore ky shtetas ka përdorur fatura fiktive blerjeje nga fermerë të tjerë;

-R. L., 27 vjeç, banues në Tiranë dhe G. L., 25 vjeçe, banuese në Berat, të dy inspektorë të AKU Berat, pasi kanë kryer kontrolle në këtë subjekt dhe praktikat e mbajtura kanë rezultuar të plotësuara në mënyrë fiktive, duke mos bërë marrjen e mostrave të domateve që ndodheshin në magazinë dhe bllokimin e tyre, si dhe kanë marrë si të rregullta faturat fiktive të blerjeve nga shtetasi M. Q., duke tjetërsuar në këtë mënyrë faktet në lidhje me produktet e konstatuara me nivele të larta preparati.

Nga kontrolli i ushtruar në magazinën e shtetasit M. Q., u sekustruan perime të ndryshme dhe u morën mostra për analiza, pasi dyshohet se mund të jenë me përbërje të lartë preparatesh.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Beratit, për veprime të mëtejshme.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit