

TIRANË- Jorgo Ajredini, 58 vjeç ka ndërruar jetë në spitalin e QSUT pas 15 ditësh në gjendje kome. Ajredini u gjet i plagosur në kokë nga familjarët në një kanal në Maliq, ndërsa për shkak të gjendjes së rëndë u dërgua për mjekim në Tiranë, por fatkeqësisht nuk mbijetoi.
Ngjarja u referua fillimisht nga policia si aksidentale, duke dyshuar se 58-vjeçari ishte goditur nga kali, por familjarët e tij kanë ngritur pretendime se mund të jetë goditur me sende të forta.
Vëllai i tij është shprehur se vetë viktima i ka thënë se e ka goditur një person nga Pogradeci. Ai ka bërë thirrje për zbardhjen e ngjarjes.
“Kam qenë në Rëmbec bashkë me vëllanë. U ndamë aty. E gjeta duke pirë ndonjë gotë te muzeumi, tek klubi. Vëllai mori kalin dhe shkoi ta lidhte në jonxhë, unë ika në shtëpi. Vjen kushëriri, më zgjon dhe më thotë: ‘Është goditur vëllai nga kali’. Shkuam 45 minuta para se ta nisnin në Tiranë. E pyeta vëllain dhe më tha: ‘S’më ka goditur kali, por një person nga Pogradeci’. Shkova në Tiranë një ditë, të nesërmen e denoncova në Maliq. Çështja ishte shumë e rëndë. Ishte në gjendje kome, doktorët e ngritën lart, sepse ishte pak më mirë. ‘Më goditi’, tha vëllai, por s’qe i vetëdijshëm. Pastaj vajti prapë poshtë dhe e ngritën përsëri. Me pak fjalë e kanë goditur. Në vendin që duhej lidhur kali nuk ishte kali; ai duhej të ishte në jonxhë. Atij i bënë pritë. Kur tha ‘më goditën’ tha edhe ‘një i shkurtër nga Pogradeci’. Këtë e tha vetë. Dua të vërtetën. Policia s’ka bërë asgjë“, u shpreh vëllai i viktimës, Agustin Ajredini.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





