Transmetuar më 08-09-2025, 06:50

Beograd- Të dielën në Serbi është mbajtur antimiting i mbështetësve të Qeverisë dhe presidentit Aleksandar Vuçiç, të cilët kundërshtojnë protestat që mbahen prej 10 muajsh kundër pushtetit dhe me kërkesa të panegociueshme për largimin e qeverisë e cila akuzohet si e korruptuar.

Në qytetet si Nishi, Çaçaku dhe Shabaci janë mbajtur protesta paralele dhe me raste janë raportuar tensione mes dy palëve, mbështetësve të Vuçiç dhe studentëve.

Përplasje janë shënuar mes protestuesve dhe policisë të shtunën ku forcat e rendit janë akuzuar për ushtrim dhune.

Policia ka ndërhyrë në një incident të raportuar në Çaçak ndërsa në Shabac i ka ndarë dy grupet e protestuesve përmes kordonit.

Pamjet tregojnë edhe sjellje agresive nga ana e policisë ndaj protestuesve në Novi Sad.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, i cili ka marrë pjesë në antimitingun në Borça, ka përsëritur thirrjen e tij për dialog.

Disa prej studentëve që protestojnë kundër Qeverisë, e kanë refuzuar ftesën e Vuçiqit për debat të hapur televiziv, duke thënë se do të flasin me të kur t’i thërrasë zgjedhjet e parakohshme dhe t’i përmbushë kërkesat.

Më 3 shtator, presidenti i partisë në pushtet, Partisë Përparimtare Serbe, Millosh Vuçeviq u ka bërë thirrje mbështetësve të mblidhen në 120 qytete dhe qyteza në Serbi.

Mbështetësit e Qeverisë janë mbledhur të dielën, një ditë pas protestave të radhës të studentëve kundër pushtetit, të cilat janë mbajtur për të kundërshtuar përdorimin e forcës policore kundër protestuesve në Novi Sad më 5 shtator.

Studentët u kanë bërë thirrje qytetarëve që të mos dalin nëpër rrugë dhe të mos përleshen me protestuesit e palës tjetër.

“Qeveria është duke angazhuar njerëz që të krijojnë imazhe të shpikura ‘të popullit’. Dëshiron të shkaktojë incidente. Le të mos jemi viktimë e shfaqjes”, kanë thënë studentët.

Në protestat kundër pushtetit në mesin e muajit gusht, mbështetësit e partisë në pushtet kanë hedhur fishekzjarrë kundër protestuesve.

Studentët dhe mijëra qytetarë tjerë protestojnë që 10 muaj, duke kërkuar përgjegjësi për 16 personat e vdekur në nëntor të vitit të kaluar në Novi Sad, si pasojë e shembjes së një strehe betoni.

Në kuadër të protestave janë bllokuar 60 fakultete në shtatë universitete nëpër Serbi.

Ditëve të fundit disa kanë nisur të punojnë, ndërsa disa vazhdojnë të jenë të bllokuara.

Me kalimin e kohës, studentët i kanë rritur kërkesat, duke përfshirë edhe atë për zgjedhje të parakohshme, mirëpo Vuçiq refuzon, duke thënë se kërkesat e studentëve janë plotësuar./ REL

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit