

Një 33-vjeçar, i identifikuar si Enea Zeqiri, është arrestuar nga policia e Durrësit pasi mbajti me forcë një 15-vjeçare dhe ushtroi dhunë psikologjike ndaj saj.
Njoftimi i policisë:
Mbajti me forcë në banesë një 15-vjeçare, duke mos e lejuar të largohej dhe duke ushtruar dhunë psikologjike ndaj saj, arrestohet në flagrancë 33-vjeçari.
Gjatë ndërhyrjes, Policia i gjeti 33-vjeçarit një armë zjarri pistoletë me silenciator dhe municion luftarak.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës dhe ato operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, pas njoftimit të marrë se një shtetas kishte mbajtur me forcë një 15-vjeçare, me të cilën dyshohet se kishte një marrëdhënie intime dhe nuk e lejonte të largohej nga banesa e tij, duke ushtruar dhunë psikologjike ndaj saj, kanë ndërhyrë duke kapur në flagrancë dhe vënë në pranga shtetasin:
E. Z., 33 vjeç, banues në lagjen nr. 14, Durrës.
Gjatë ndërhyrjes dhe kontrollit të banesës, shërbimet e Policisë i gjetën këtij shtetasi një armë zjarri pistoletë “Zastava” me silenciator dhe municion luftarak, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprat penale “Dhuna në familje”, “Heqja e paligjshme e lirisë” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve”.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





