Transmetuar më 07-09-2025, 10:34

TIRANË- I shumëkërkuari nga Interpoli Soni Pepa alias Vilson Pepa është ekstraduar nga Republika Domenikane. Soni Pepa ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pas vendimit të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, e cila kishte caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest me burg”, për veprat penale: Trafikim i narkotikëve, kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal, pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale.

Njoftimi i Policisë:

Finalizohet ekstradimi i shtetasit shqiptar S. P., alias V. P., nga Punta Cana/Republika Domenikane, në Shqipëri. Në vijim të bashkëpunimit intensiv të Interpol Tiranës me Interpol Santo Domingo, Republika Domenikane, në kuadër të operacionit policor ndërkombëtar të koduar “The Wanted”, në orët e para të mëngjesit të sotëm, u finalizuan procedurat për ekstradimin nga Punta Cana/Republika Domenikane drejt vendit tonë, të shtetasit shqiptar S. P., alias V. P., 41 vjeç, lindur në Lushnjë.

Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ka caktuar masën e sigurimit personal “Arrest me burg” për veprat penale “Trafikim i narkotikëve”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal” dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Si rezultat i informacionit të siguruar nga Departamenti i Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit dhe i shkëmbimit të tij nëpërmjet Interpol Tiranës me Interpol Santo Domingo, u bë i mundur arrestimi në Punta Cana/Republika Domenikane, duke u finalizuar me ekstradimin drejt vendit tonë të këtij shtetasi. Shtetasi S. P., në përfundim të procedurave, iu dorëzua Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. Policia e Shtetit falënderon autoritetet e Republikës Domenikane dhe autoritetet gjermane për bashkëpunimin për finalizimin e procedurave të ekstradimit të 41-vjeçarit në Shqipëri.

Kush është Soni Pepa alias Vilson Pepa

Soni Pepa alias Vilson Pepa u arrestua më 3 shtator në zonën e Distriktit Kombëtar. Gjatë momentit të ndalimit, autoritetet i kanë gjetur një pasaportë shqiptare, dokumente italiane, pesë telefona celularë të koduar dhe shuma të konsiderueshme parash në dorë. 41-vjeçari akuzohet si anëtar i një grupi kriminal për trafik ndërkombëtar të kokainës. Ai rezulton i kërkuar nga autoritetet shqiptare për përfshirje në një nga ngarkesat më të mëdha të kokainës që kanë kapur autoritetet evropiane vitet e fundit.

Pepa akuzohet për një sasi prej 11 tonësh kokainë, nga të cilat 600 kilogramë u sekuestruan në Roterdam, Holandë, mes datave 7 dhe 8 nëntor 2020. Gjithashtu, ai dyshohet se ka financuar blerjen e 10 kilogramëve të tjerë në të njëjtin qytet. 41-vjeçari ishte pjesë e një grupi të strukturuar kriminal ndërkombëtar, i cili operonte në disa shtete të Europës dhe Amerikës së Jugut, me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike.

Ngarkesa e drogës dyshohet se është nisur nga porti i Villetas në Paraguai, me destinacion përfundimtar portin e Antverpit në Belgjikë. Emri i Vilson Pepës ishte shpallur në kërkim pas operacionit të SPAK më 8 gusht, ku u godit sërish organizatën kriminale të Franc Çopjas në Elbasan.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit