

Tiranë, 7 shtator 2025 Përqendrimi i ekonomisë dhe i popullsisë në rajonin Tiranë-Durrës po thellon gjithnjë e më shumë pabarazitë rajonale. Ky rajon është shndërruar në epiqendrën e shërbimeve, financave, tregtisë, ndërtimit dhe gjithnjë e më tepër të teknologjisë.
Në këtë zonë ndodhen qendrat kryesore tregtare dhe bizneset më të mëdha, institucionet financiare, qeveritare dhe arsimore, porti më i madh i vendit dhe i vetmi aeroport ndërkombëtar. Rajoni tërheq pjesën më të madhe të investimeve të huaja dhe projekteve publike. Vetëm në vitin 2024, në Tiranë-Durrës ishin të përqendruara 58.2% e bizneseve aktive të vendit, nga 57.5% një vit më parë, ndërsa 41.5% e popullsisë jeton në këto dy qarqe.
Ky zhvillim i shpejtë rrit hendekun me pjesën tjetër të Shqipërisë. Qarqet e tjera po përballen me rënie të qëndrueshmërisë ekonomike, braktisje të tokave bujqësore dhe tkurrje të potencialit rural. Bujqësia ka hyrë tashmë në vitin e pestë të rënies, për shkak të falimentimit të fermave të vogla dhe mungesës së mbështetjes financiare.
Urbanizimi i shpejtë në Tiranë-Durrës nuk po shoqërohet me planifikim afatgjatë. Trafiku rrugor është i mbingarkuar, shërbimet publike si uji, energjia, transporti dhe menaxhimi i mbetjeve janë në kufi të kapaciteteve, ndërsa ndotja e ajrit dhe përdorimi i territorit janë kthyer në sfida madhore. Autostrada Tiranë–Durrës është në gjendje të rëndë, me gropa të shumta që e bëjnë të vështirë qarkullimin.
Kostot e jetesës në këto dy qytete janë dukshëm më të larta, sidomos në sektorin e strehimit. Përqendrimi i popullsisë ka nxitur rritjen e çmimeve të qirave dhe të banesave. Të dhënat tregojnë se nga 2014 deri më 2022 shpenzimet mujore të familjeve shqiptare u rritën mesatarisht me 27%, ndërsa çmimet me 19.8%. Të indeksuara me inflacionin, shpenzimet reale u rritën me vetëm 7.2%, citon Monitor.
Ndërkohë, qarqet e Veriut kanë përjetuar rënie të konsumit real. Në Kukës, Shkodër, Lezhë dhe Dibër, rritja e shpenzimeve mujore ishte vetëm 11%, por inflacioni i njëjtë ka bërë që konsumi real të ulet me 10-15%. Ky kontrast shpjegon edhe migrimin e madh të popullsisë nga këto zona drejt Tiranës dhe jashtë vendit, megjithëse Veriu ka potencial të madh turistik ende të pashfrytëzuar.
Në vitin 2022, një familje në Tiranë shpenzonte mesatarisht 104,426 lekë në muaj, por shpenzimet reale janë rritur vetëm me 8% në periudhën 2014–2022. Ndërkohë, në qarqet e tjera, rënia e konsumit ka qenë e dukshme, duke thelluar diferencat mes rajoneve. Edhe treguesit e PBB-së sipas rajoneve e konfirmojnë këtë pabarazi: rajoni i Veriut ka pësuar ritme rritjeje dukshëm më të ulëta në dekadën e fundit, krahasuar me Qendrën dhe Jugun.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





