Transmetuar më 07-09-2025, 07:52

Tiranë, 7 shtator 2025 Sektori i akomodimit dhe shërbimit në Shqipëri po bëhet gjithnjë e më i varur nga punonjësit e huaj, për shkak të mungesës së stafit vendas. Në disa prej hoteleve dhe restoranteve më të njohura të vendit, të huajt tashmë përbëjnë një përqindje të konsiderueshme të stafit, ndonëse shpesh nuk flasin shqip.

Vetëm në një nga resortet me markë ndërkombëtare në bregdetin e Jugut, mbi 24% e stafit janë të huaj, të ardhur nga vende si Filipinet, India, Ukraina, Gjeorgjia e Turqia. Ata mbulojnë pozicione të ndryshme nga kamerierë e banakierë, deri te recepsioni dhe pastrimi. Menaxherët e hoteleve theksojnë se pagesat dhe kushtet e punës janë të njëjta me ato të vendasve, ndërsa punonjësve u ofrohet edhe akomodim e ushqim.

Sipas të dhënave të Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive, gjatë vitit 2024 u miratuan mbi 12 mijë kërkesa për leje pune për shtetas të huaj, një rritje prej 29% krahasuar me vitin paraardhës. Megjithatë, pjesëmarrja e tyre në tregun shqiptar të punës mbetet e ulët, duke zënë vetëm 2,2% të totalit të të punësuarve.

Ekspertët paralajmërojnë se sektori i turizmit do të ketë gjithnjë e më shumë nevojë për fuqi punëtore të huaj, për shkak të largimit të vazhdueshëm të punonjësve vendas jashtë vendit. Por, sipas tyre, ky proces duhet të shoqërohet me një model të strukturuar punësimi, në mënyrë që të shmangen problemet me kontratat, burokracitë dhe integrimin në tregun e punës.

Sektori i bareve dhe restoranteve është një ndër më të prekurit nga mungesa e stafit vendas. Për këtë arsye, shumë biznese po orientohen drejt studentëve të huaj që ndjekin studimet në Shqipëri, si dhe punëtorëve nga Azia dhe Afrika. Përfaqësues të shoqatave të biznesit theksojnë se punonjësit e huaj shpesh rezultojnë më të disiplinuar dhe më të gatshëm të pranojnë orare shtesë, krahasuar me vendasit.

Megjithëse Shqipëria ka rritur ndjeshëm numrin e lejeve të punës për shtetasit e huaj, ekspertët vlerësojnë se vendi mbetet më pak konkurrues në rajon për shkak të pagave të ulëta. Kjo situatë, sipas tyre, mund të sjellë sfida të reja në vitet e ardhshme, duke përfshirë jo vetëm integrimin e punëtorëve të huaj, por edhe garantimin e shërbimit cilësor në turizëm.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit