

TIRANË- Tirana furnizohet me ujë të pijshëm vetëm 5 orë në ditë. Në disa zona, uji nga tubacionet e ujësjellësit rrjedh vetëm 3 orë, 1 paradite, 1 pasdite dhe 1 në darkë.
Në pallatet e ndërtuara para viteve ’90 situata është më problematike, pasi nuk kanë depozita të mëdha nëntokësore, por vetëm ato mbi tarraca.
Kryeqyteti furnizohet me orare të përcaktuara: disa lagje kanë dy herë në ditë, kryesisht në mëngjes, në orarin 06:30 ose në mbrëmje në orën 19:00 deri në orën 21:00. Disa lagje të tjera furnizohen tre herë, por qytetarët thonë se është e pamjaftueshme.
Por ka edhe zona, ato në periferi, ku popullsia është shtuar me ritme të shpejta, që nuk furnizohen me ditë të tëra.
Mungesa e ujit të pijshëm po prek jo vetëm banorët, por edhe mijëra turistë që e vizitojnë çdo ditë Tiranën. Shumë prej atyre që akomodohen në Airbnb në pallatet e vjetra nuk arrijnë as të lahen.
Tirana po zhvillohet me shpejtësi, por ajo është kryeqyteti i vetëm në rajon dhe Europë që ka këtë nivel skandaloz të furnizimit me ujë. Të dhënat e siguruara nga TV Klan tregojnë se kryeqyteti ynë është në vend të fundit.
Prishtina, që është në vendin e dytë, ka 16 deri në 20 orë ujë në ditë. Kryeqytetet e tjera si Shkupi, Podgorica, Sarajeva, Beogradi, Sofja apo Athina kanë 24 orë ujë pa ndërprerje.
Ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizime në Tiranë pohon se uji shpërndahet sipas një grafiku të caktuar, por ajo nuk i vuri në dispozicion për publikun oraret gjatë të cilave furnizon lagjet e kryeqytetit me ujë.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





