Transmetuar më 06-09-2025, 14:26

6 Shtator 2025 – Përmet / Tepelenë

Një nënë dhe djali i saj nga Belshi kanë rënë në prangat e policisë, pasi akuzohen për një seri vjedhjesh në zona të ndryshme të qarkut Gjirokastër, përfshirë qytetet Përmet dhe Memaliaj.

Policia ka dokumentuar deri më tani 6 raste të vjedhjeve, të ndodhura nga muaji maj deri në shtator të këtij viti, ku janë grabitur shuma parash, bizhuteri dhe sende me vlerë nga banesa, lokale dhe objekte kulti.

Në pranga ka rënë Zybejte Uruci, 67 vjeçe, ndërsa djali i saj, Lodian Uruci, 36 vjeç, është shpallur në kërkim.

Planifikonin vjedhjet dhe vepronin natën

Sipas hetimeve paraprake, dyshja studionte vendet që do të grabisnin dhe vepronin në orët e vona të natës, duke përdorur mjete si kaçavida dhe leva për të hyrë në ambientet e përzgjedhura.

Rastet e dokumentuara nga policia janë si më poshtë:

04.05.2025, fshati Vasjar, Memaliaj – Vjedhje në një banesë, ku u morën bizhuteri dhe para;

10.07.2025, fshati Krahës – Vjedhje në një objekt kulti, ku u grabitën para;

07.08.2025, fshati Sukë, Përmet – Vjedhje në një objekt kulti;

23.08.2025, fshati Petran, Përmet – Vjedhje në një lokal;

04.09.2025, Memaliaj – Vjedhje në një lokal dhe një objekt kulti.

Sekuestrohen prova materiale – Djali në arrati

Gjatë operacionit policor janë sekuestruar 1 automjet, 1 telefon celular, si dhe mjetet e përdorura për vjedhje, ndër to një levë dhe një kaçavidë.

Policia e Tepelenës, në bashkëpunim me Stacionin e Policisë Memaliaj, po vijon hetimet për dokumentimin e plotë të aktivitetit kriminal të nënë e bir, ndërsa vijon puna për kapjen e 36-vjeçarit Lodian Uruci.

Materialet hetimore janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, ku të dy dyshohen për veprën penale "Vjedhja", e kryer në bashkëpunim.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit