

SERBI- Një protestë masive u mbajt ditën e djeshme në Novi Sad. Mijëra njerëz dolën në rrugët e Novi Sadit, por ndërhyrjet e policisë, e kthyen protestën nga paqësore në një skenë dhunë masive. Disa qytetarë u plagosën dhe u arrestuan.
Protesta u bë e dhunshme kur turma arriti në Fakultetin e Filozofisë, përpara të cilit policia është stacionuar për dhjetë ditë. Qytetarët pretendojnë se incidentet u nisën nga policia, ndërsa autoritetet pretendojnë të kundërtën, duke deklaruar se policia u sulmua pa asnjë arsye.
Vetëm pasi mbaruan fjalimet në protestë, mediat morën një deklaratë nga Ministria e Punëve të Brendshme ku thuhej se kishin informacion në lidhje me planifikimin e një sulmi ndaj stacionit të policisë. Ndërhyrja dhe dhuna e Policisë nuk kurseu as gazetarët, të cilët u goditën dhe i shtrinë për tokë.
Presidenti serb Aleksandar Vuçiç tha se në Novi Sad u bë një përpjekje për të destabilizuar Serbinë dhe përgëzoi policinë për punën e bërë mirë. Sipas tij, pak më shumë se 7,000 njerëz u mblodhën në Novi Sad.
"Në Novi Sad, në prani të përfaqësuesve të Parlamentit Evropian, disa njerëz u përpoqën të kërcënonin stabilitetin dhe sigurinë e Serbisë me helmeta në kokë, ata donin të pushtonin ambientet e Universitetit Filozofik me çdo kusht", tha Vuçiç.
Situata e tensionuar vazhdoi edhe pas mesnatës, veçanërisht pranë ndërtesës së Rektoratit, ku qytetarët u fshehën nga ndërhyrja e policisë.




Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





