

Me rastin e 26-vjetorit të krijimit të Policisë së Kosovës, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, me ftesë të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Republikës së Kosovës, kolonel Gazmend Hoxha, zhvilloi një vizitë në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Kosovës.
Proda ishte i shoqëruar nga Drejtori i Departamentit të Policisë Kriminale, Drejtues i Lartë Neritan Nallbati, dhe nga ekipi i volejbollit i Policisë së Shtetit.
Në takim me kolonel Gazmend Hoxha, Proda vlerësoi forcat e policisë së Kosovës për punën, sakrificën dhe rezultatet e arritura për më shumë se dy dekada e gjysmë.
Kryepolici i Shqipërisë tha se "ata burra e gra që dje luftonin për lirinë, sot luftojnë e punojnë për sigurinë e shtetit dhe qytetarëve tanë".
Ndërsa në vijim kërkoi që, "të forcojmë bashkëpunimin për të goditur krimin e organizuar dhe trafiqet.”
Në këtë pikë, Kolonel Gazmend Hoxha siguroi se ky bashkëpunim i shkëlqyer mes dy policive do të thellohet akoma më shumë, për të mirën e qytetarëve të dy vendeve tona.

Më pas, ekipi i volejbollit i Policisë së Shtetit zhvilloi një ndeshje me ekipin e volejbollit të Policisë së Kosovës, ndeshje në të cilën morën pjesë edhe dy drejtorët Proda dhe Hoxha. Kjo ndeshje u pa si një tjetër tregues i forcimit të bashkëpunimit dhe frymës së miqësisë mes dy policive. /noa.al
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





