Transmetuar më 05-09-2025, 20:20

Francë – Ndeshja mes përfaqësueseve U21 të Francës dhe Luksemburgut, e planifikuar të luhej sot, në Lorient, për kualifikueset e Europianit 2027, është shtyrë për në datën 3 tetor. Vendimi u mor pas një incidenti të ndodhur me autobusin e delegacionit luksemburgas, ngjarje që bëri të pamundur zhvillimin e takimit.

Sipas njoftimeve zyrtare, pesë futbollistë të Luksemburgut U-21 përfunduan në spital, por fatmirësisht u lanë të gjithë të lirë pasi gjendja e tyre u vlerësua e mirë. Autobusi, që po transportonte skuadrën nga stadiumi Stade du Moustoir drejt hotelit në Ploermel, doli nga rruga dhe përfundoi në një kanal. Shkak i aksidentit dyshohet të ketë qenë një problem shëndetësor i shoferit.

Shoferi, 53 vjeç, me nëntë vite shërbim, nuk kishte asnjë precedent aksidenti dhe ishte i pajisur me dokumentacion të rregullt mjekësor. Kompania e transportit theksoi se ai kishte kaluar me sukses testet e alkoolit dhe drogës, duke përjashtuar këto si faktorë të mundshëm.

Federatat e të dy vendeve, në marrëveshje me UEFA-n, vendosën të shtyjnë ndeshjen për të garantuar sigurinë dhe mirëqenien e futbollistëve. Pavarësisht frikës fillestare, lajmi i mirë është se askush nga ekipi i Luksemburgut nuk pësoi lëndime serioze.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit