

Tiranë, 4 shtator 2025 – Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se brenda pak ditësh do të nisë zbatimi i projektit “Qytetet inteligjente”, një nismë që synon të sjellë monitorimin digjital të hapësirave publike dhe institucioneve arsimore në Shqipëri.
Sipas Ramës, pas tre vitesh ndërhyrje nga qeveria gjatë sezonit turistik, pastërtia e rrugëve dhe plazheve është përmirësuar ndjeshëm, por ndotja nga vetë qytetarët mbetet problematike.
“Prej tre vitesh gjatë verës, nuk pastrojnë më me forcat e tyre, por me forcë mbështetëse nga qeveria. Prandaj plazhet dhe rrugët janë më të pastra. Por qeveria nuk i mban dot duart e shqiptarëve të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut,” u shpreh ai.
Në kuadër të projektit, do të vendosen kamera sigurie në rrugë, në hapësira publike dhe në institucionet arsimore. Rama theksoi se përmes kësaj teknologjie do të mund të identifikohen në kohë reale personat që ndotin ambientin.
“Do të shohim kush i hedh plehrat,” deklaroi ai. “Do të monitorohen edhe shkollat dhe klasat. Do dimë kush mungon e kush jo.”
Projekti synon të vendosë themelet për krijimin e qyteteve të kontrolluara, të sigurta dhe më efikase në menaxhimin e hapësirave dhe shërbimeve publike. Qeveria nuk ka dhënë ende detaje mbi zonat e përfshira dhe kohëzgjatjen e fazave të zbatimit.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





