

Një lajm i kobshëm erdhi një ditë më parë nga Spitali i Traumës ku Kreshnik Tomai, babai i tre fëmijëve, prej 10 ditësh po luftonte për jetën në sallën e kujdesit intensiv.
35-vjeçari nuk mundi që të fitonte betejën me vdekjen. Ai ndërroi jetë pas 10 ditësh në koma, pasi më 24 gusht u përplas nga një 17-vjeçar me “Range Rover” në qytetin e Fierit.
Por, për publikun Kreshniku nuk ishte një emër i panjohur. Në media dhe rrjetet sociale të gjithë e njohin si babain që do të bënte të pamundurën për ëndrrën e vajzës së tij që të bëhej këngëtare.
Ai është babai i Nikitës, vogëlushes 10 vjeçare e cila ka fituar zemrat e publikut me zërin e saj të ëmbël dhe dëshirën e madhe për t’u bërë këngëtare. Me dhjetëra herë, babë e bijë, kanë qenë të ftuar në studio televizive, aty ku dhe Kreshniku ka pohuar para kamerave se deri në fund të jetës së tij do të jetë mbështetja më e madhe e vogëlushes së tij.
“Fëmijën e parë e kam dashur vajzë dhe emrin ja kam vënë vetë. Nuk i imponoj, të zgjedhin çfarë të duan. Është ëndrra e saj dhe unë do përpiqem t’ia plotësoj,” ka thënë asokohe Kreshniku. Burimi: Newsbomb
Babë e bijë, edhe në rrjetet sociale kanë “vjedhur” zemrat e ndjekësve. Mjaft aktivë në “TikTok”, Kreshniku dhe Nikita publikonin për ndjekësit video së bashku si dhe fragmente ku e vogla shihej duke kënduar.
Kujtojmë se ngjarja e rëndë u regjistrua më 24 gusht pranë Shkollës së Muzikës në Fier. Tomani, teksa po kalonte rrugën u përplas me automjet nga një 17-vjeçar.
Ai u dërgua me urgjencë në Spitalin e Fierit, por për shkak të gjendjes së rënduar u nis drejt Tiranës ku dhe qëndroi në koma për 10 ditë.
Pavarësisht ndërhyrjeve mjekësore dhe kujdesit intensiv, plagët e marra në aksident kanë rezultuar fatale për të riun duke ndërruar jetë kështu ditën e sotme, 3 shtator.
Lidhur me këtë ngjarje policia ka arrestuar 17-vjeçarin i cili akuzohet për veprat penale “shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “drejtimi i mjetit në mënyrë të parregullt”, ndërsa ishte në timon pa patentë.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





