Transmetuar më 04-09-2025, 12:43

TIRANË- Drejtori i Shkollës së Magjistraturës, Arben Rakipi që është dhe kryesuesi i draftit të Kodit të ri Penal ka zbuluar disa nga veprat që pritet të lehtësohet dënimi. Gjatë fjalës së tij në tryezën e dytë të prezantimit teknik të draftit, Rakipi ka theksuar se veprat si vjedhja, shpërndarësit e drogës nëse tregojnë burimin të kenë dënime më të lehta. Një tjetër gjë që Rakipi përmendi është edhe trajtimi si i mitur, që do të thotë se nëse një përson do të kryej vepra jo të rënda penale, mund të marrë lehtësi siç merr i mituri.

"Dua të përmend një grup dispozitash të tjera që lidhen me dënimin. Dispozita e parë orienton gjykatën kur do të japë një dënim ndaj një personi që nuk ka rrethana lehtësuese. Ky është një dënim ligjor. Ndikon drejtpërdrejt në zbutjen e dënimit. Çështja e dytë është që ne kemi rreth 100 dispozita ku gjyqtari orientohet të japë dënim plotësues, jo burgim dhe jo gjobë, siç mund të jetë puna në interes publik, normalizimi i marrëdhënieve me viktimën apo elementë të tjerë.

Vjedhja

Do përmend kategoritë lehtësuese që lidhen me vjedhjen. Është një dispozitë e rëndësishme për rëndësinë e veprës; do të bëjë që të mos quhet vepër penale, pra do të konsiderohet si e patrajtueshme penalisht. Vjedhjet brenda familjes janë vlerësuar që mund të trajtohen me ankim. Prokurori nuk e fillon dot çështjen përveçse me ankim, dhe kjo është lehtësuese për politikën penale në tërësi. Një element tjetër që ndikon është çështja e alternativave të dënimit që janë shtuar — alternativa që ndikon drejtpërdrejt në dënimin gjyqësor, sepse nëse sistemi i provës e mbikëqyr, ndjek dhe referon në gjykatë.

Trajtimi si i mitur

I rrituri nuk do të trajtohet si i mitur, por është në kuptimin që, nëse do të kryejë vepra jo të rënda, atëherë mund ta marrë këtë lehtësi, ashtu siç mund ta marrë i mituri. Është një çështje që zbut dënimin e tij në raport me veprën, nëse nuk është një vepër e rëndë. Këto përbëjnë masën dërrmuese të lëndës penale që ne kemi.

Shpërndarësit e drogërave

Çfarë lidhet me shpërndarësit e drogës, dispozita parashikon mospenalizim të tyre nëse sasia është e vogël — 10 apo 5 gramë, s’e mbaj mend mirë. Shpërndarësit e rrugës, kur nuk është për përdorim vetjak, ne mendojmë që të mos penalizohen, me kushtin që të tregojnë se ku e kanë marrë drogën, pra burimin," përfundoi Rakipi.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit