Transmetuar më 04-09-2025, 08:00

Tiranë, 4 Shtator 2025 – Tirana ka regjistruar një rekord shqetësues në prodhimin e mbetjeve urbane gjatë vitit 2024, duke gjeneruar mbi 257 mijë tonë mbetje, ose 14.52 kg për frymë në ditë. Ky nivel është gati 10 herë më i lartë se mesatarja e Bashkimit Europian, e cila llogaritet ndërmjet 1.3 dhe 1.8 kg për frymë në ditë.

Sipas të dhënave të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, pas kryeqytetit renditet Durrësi me 5.02 kg mbetje për frymë në ditë, ndërsa bashkitë e tjera si Fieri dhe Vlora kanë tregues dukshëm më të ulët, respektivisht 1.61 kg dhe 1 kg për frymë në ditë. Nga ana tjetër, Berati rezulton si bashkia me gjenerimin më të ulët, me vetëm 0.6 kg për frymë në ditë.

Raporti thekson se vetëm Tirana gjeneron rreth 30% të mbetjeve urbane në nivel kombëtar, çka përkthehet në afërsisht 258 mijë tonë. Pas saj vjen Durrësi me mbi 67 mijë tonë. Ky përqendrim lidhet ngushtë me aktivitetin më të lartë ekonomik në këto dy bashki.

Në total, gjatë vitit 2024 në të gjithë vendin u menaxhuan rreth 870 mijë tonë mbetje, një rritje krahasuar me vitin 2023, kur shifra ishte mbi 820 mijë tonë. Të dhënat gjithashtu tregojnë se Tirana, Fieri dhe Saranda janë bashkitë urbane me mbulim të plotë të territorit në shërbimin e pastrimit.

Në të kundërt, bashkitë rurale si Fushë Arrëzi, Hasi dhe Memaliaj raportojnë mbulim minimal të territorit me shërbim grumbullimi, përkatësisht 22%, 35.2% dhe 50%. Ndërkohë, vetëm 26 bashki kanë dhënë të dhëna mbi menaxhimin e mbetjeve inerte, ku Saranda, Elbasani dhe Durrësi kryesojnë me sasitë më të mëdha.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit