Transmetuar më 03-09-2025, 22:58

Akrobatja 19-vjeçare bie nga 9 metra gjatë performancës – shpëton pa lëndime serioze

Një moment tronditës u regjistrua në Kolumbi, gjatë një shfaqjeje akrobatike që kishte mbledhur dhjetëra spektatorë. Dayana Rodríguez, një akrobate 19-vjeçare, po kryente një numër të guximshëm mbi një litar të tensionuar në lartësi rreth nëntë metrash, kur papritur humbi ekuilibrin dhe ra me forcë në tokë.

Pamjet e ngjarjes, të cilat po qarkullojnë me shpejtësi në rrjetet sociale, tregojnë publikun duke ulëritur nga paniku teksa shohin vajzën e re të përplaset. Për disa sekonda, në sallë mbizotëroi frika se e reja mund të ishte lënduar rëndë.

Megjithatë, fatmirësisht, pas rënies Dayana u ngrit duke i qetësuar të pranishmit. Më vonë, ajo u shpreh se nuk kishte pësuar dëmtime serioze, përveç disa mavijosjeve. “Nuk më dhemb shumë, jam mirë”, tha akrobatja, duke u përpjekur të heqë ankthin që ngjarja u shkaktoi shikuesve.

Rodríguez është një prej të rejave më premtuese të skenës së artit akrobatik në Kolumbi. Performanca e saj kishte për qëllim të shfaqte një nivel të lartë profesionalizmi, por incidenti tregoi edhe rreziqet e mëdha që mbart ky profesion.

Për momentin, ajo ndodhet jashtë rrezikut dhe pritet të rikuperohet shpejt, ndërsa organizatorët e shfaqjes kanë theksuar se do të rishikojnë masat e sigurisë për të shmangur situata të ngjashme në të ardhmen. /noa.al

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit