

Pas përplasjeve për aksionet e aeroportit të Vlorës, biznesmeni Behgjet Pacolli ka vendosur të shkarkojë administratorin e shoqërisë koncesionare, Vlora International Airport, Valon Lluka.
Vendimi është marrë dy ditë më parë, në mënyrë të njëanshme, vetëm me votat e shoqërisë Mabco Construction sa e Pacollit, ndërkohë që aksioneri i minorancës, 2A Group, nuk ka qenë i pranishëm fare në mbledhje.
Aeroporti i Vlorës është përfshirë nga një skandal i madh publik, teksa dy aksionerët po përplasen publikisht për aksionet. Kompania 2A Group, e cila zotëron 2 për qind të aksioneve në këtë koncesion pretendon se asaj i takojnë 47 për qind të aksioneve, sipas një marrëveshje të fshehtë që palët kanë firmosur në vitin 2022, që u bë publike nga gazetari Mero Baze.

Por ky variant nuk pranohet nga Mabco Construction, e cila sot zotëron 98 për qind të aksioneve të aeroportit.
Skandali i Aeroportit të Vlorës shpërtheu pas një investigimi të Kapitalit. Fillimisht biznesmeni kosovar, Behgjet Pacolli, u mundua ta përgënjeshtrojë investigimin e Kapitalit, por vetëm një orë më vonë çështja shpërtheu publikisht, teksa aksioneri i minorancës, Valon Ademi e akuzoi Pacollin për mashtrues.
Nuk dihet nëse shkarkimi i Valon Llukës nga posti i administratorit të Aeroportit ka lidhje me luftën e ashpër mes dy aksionerëve.
Por sherri mes Pacollit dhe Valon Ademit duket se ka krijuar një problem shumë të madh në aeroportin e Vlorës, të cilin kryeministri Rama kishte premtuar se do ta hapte për sezonin turistik të këtij viti./Kapital
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





