Transmetuar më 02-09-2025, 21:25

Prrenjas- Një histori e veçantë po bën xhiron e rrjeteve sociale, duke prekur mijëra zemra. Një vjehërr shqiptar, Xhevahir Dashi, ka surprizuar nusen e djalit të tij, Eriseldën, me një dhuratë jo të zakonshme – një makinë. Por ajo që e bëri momentin vërtet të paharrueshëm ishte letra e gjatë dhe prekëse që ai i dedikoi asaj.

Letra, e mbushur me fjalë mirënjohjeje dhe dashurie, nuk është thjesht një urim, por një dëshmi e lidhjes së fortë që mund të ekzistojë midis një vjehrri dhe një nusjeje. Ai e cilëson Eriseldën si “një nga shtyllat kryesore të kësaj familjeje” dhe e falënderon për përkushtimin, kujdesin dhe dashurinë që ajo jep çdo ditë. Letra e plotë:

E dashura Eriselda, Me shumë kënaqësi dhe zemër të hapur, unë, vjehrri yt, Xhevahir Dashi, kam nderin të të bëj këtë dhuratë – një makinë – si shenjë mirënjohjeje dhe respekti të thellë për ty.

Ti nuk je vetëm nusja e kësaj shtëpie, por je bërë një nga shtyllat kryesore të saj. Me përkushtim, kujdes dhe dashuri të paçmuar, ke dhënë gjithmonë shembullin e artë të familjes sonë. Kujdesi yt i vazhdueshëm për familjen, për djemtë tuaj, për bashkëshortin tënd Gentin, si dhe dashuria e pafund për gjithë familjen tonë, tregojnë shpirtin tënd të madh dhe fisnik.

Duke të të bërë këtë dhuratë, dua të të ndihmoj me zemër dhe të të kujtoj që gjithmonë të vendosësh familjen në qendër të jetës tënde. Prandaj, kjo dhuratë nuk është vetëm një makinë, por edhe një simbol i respektit, mirënjohjes dhe dashurisë sonë për ty.

Uroj që kjo makinë të të shërbejë në të gjitha rrugët e jetës – qoftë të begata, qoftë të vështira – duke të kujtuar gjithmonë se je e dashur, e çmuar dhe një shtyllë e rëndësishme e kësaj familjeje, e bashkuar gjithmonë me dashuri dhe respekt për të gjithë.

Me dashuri dhe urime të përzemërta, Xhevahir Dashi

Kjo letër e sinqertë dhe gjesti i rrallë kanë ngjallur emocione të forta në rrjete sociale, ku shumë komentues kanë vlerësuar marrëdhënien e veçantë mes vjehrrit dhe nuses. Në një kohë kur shpesh dëgjojmë për tensione në familje, kjo histori është një kujtesë e bukur se respekti dhe mirënjohja mund të ndërtojnë ura të forta dashurie brenda familjes.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit