Transmetuar më 02-09-2025, 19:59

Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkovic, ka lëshuar një paralajmërim të fortë mbi situatën politike në Ballkanin Perëndimor, duke deklaruar se “Serbia është në prag të luftës civile”, pas më shumë se dy vitesh trazirash të brendshme dhe protestash masive.

Këtë deklaratë, ai e bëri në Forumin Strategjik të Bled-it, teksa diskutonte në një panel me homologun e Sllovenisë, Shqipërisë dhe Malit të Zi.

Plenkovic theksoi se realiteti politik në rajon është i ashpër dhe duhet marrë seriozisht nga Bashkimi Europian përpara çdo zgjerimi të mëtejshëm.

“Keni Maqedoninë e Veriut, e cila është e bllokuar. Keni Serbinë me më shumë se dy vite trazira dhe demonstrata të brendshme, në prag të luftës civile. Keni Bosnjë-Hercegovinën me Dodikun, që prej vitesh luan me idenë e shkëputjes. Keni Banjskën e vitit 2023, për të cilën BE nuk artikuloi asnjë qëndrim serioz, a thua se nuk ndodhi. Ky është realiteti”, u shpreh ai, sipas Ve?ernji list të Zagrebit.

Plenkovic shtoi se është pro zgjerimit të BE-së, por sipas tij vendet aspirante duhet së pari të stabilizohen politikisht.

“Duhet të jemi realistë për zgjerimin dhe për kontekstin global që po ndryshon. Të gjithë duan të hyjnë në BE, por duhet të kenë stabilitet politik,” tha kryeministri kroat.

Ndërkohë, dhjetëra mijëra qytetarë në kryeqytetin e Serbisë, Beograd, morën pjesë më 1 shtator në një marshim përkujtimor gjatë një proteste kundër qeverisë, të thirrur nga nxënësit e shkollave të mesme, në kuadër të një bllokade në ditën e parë të vitit shkollor.

Tubimi përfundoi në Sheshin e Republikës, në qendër të Beogradit, me vendosjen e kurorave dhe trëndafilave të bardhë për 16 viktimat e shembjes së strehës së stacionit hekurudhor në Novi Sad. U mbajt gjithashtu një heshtje 16-minutëshe në nderim të viktimave.

Arsyeja e kësaj proteste, e cila u mbajt në disa qytete të Serbisë, ishte fakti se kanë kaluar dhjetë muaj nga shembja e strehës, një incident që çoi në protesta masive në Serbi dhe bllokada të institucioneve të arsimit të lartë. U bë thirrje për zgjedhje të parakohshme, për hetime transparente ndaj përgjegjësve për incidentin, si dhe për institucione e media të lira.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit