Transmetuar më 02-09-2025, 11:49

Policia spanjolle ka hapur një hetim për vrasje të dyshuara në bord të një varke me emigrantë, pas mbërritjes së saj në Ishujt Kanarie. Anija, e mbingarkuar, ishte nisur nga Afrika Perëndimore, ndërsa autoritetet raportojnë se rreth 70 persona mungojnë ende, ndërsa 251 të tjerë janë shpëtuar nga rojet bregdetare spanjolle.

Sipas dëshmive të të mbijetuarve, gjatë rrugës ka pasur dhunë të rëndë mes pasagjerëve. Disa janë qëlluar dhe më pas hedhur në det, ndërsa të tjerë kanë humbur jetën nga etja, lodhja ose janë hedhur vetë në ujë në gjendje konfuzioni pas ditësh të tëra pa ushqim dhe ujë.

Varka, e nisur nga Sahara Perëndimore, mbeti e bllokuar në det për 11 ditë pas një defekti në motor. Kur u shpëtuan, emigrantët ndodheshin rreth 265 milje në perëndim të Dakhla-s.

Policia po heton deri në 30 persona në qendra pritjeje të ndryshme për të identifikuar autorët e mundshëm. Disa të dyshuar janë tashmë identifikuar dhe pritet të arrestohen së shpejti. Nëse shpallen fajtorë për vrasje, ata rrezikojnë burgim të përjetshëm.

Autoritetet spanjolle dhe marokene kanë cilësuar këtë rrugë si një nga më të rrezikshmet për emigrantët afrikanë drejt Evropës. Rritja e numrit të udhëtimeve të rrezikshme ka rikthyer në fokus krizën humanitare në Mesdhe.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit